Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë ekskluzive) Spartak Ngjela: Avokatia nuk ka sistem vlerash sot sepse drejtësia shitet dhe blihet

(Intervistë ekskluzive) Spartak Ngjela: Avokatia nuk ka sistem vlerash sot sepse drejtësia shitet dhe blihet
September 14
17:27 2016

Intervistë ekskluzive për Blitz.al, zhvilluar nga Anduena Llabani

Frika ndaj kontrollit të figurës së gjyqtarit ka bërë që këta të fundit të reagojnë duke pretenduar se shkelen të drejtat e njeriut dhe jeta e tyre private. Të akuzuar si kontingjenti më i korruptuar në sistemin e drejtësisë, gjyqtarë dhe avokatë pritet të jenë personat e parë që do të kalojnë në sitën e Byrosë Kombëtare të Hetimit që pritet të nisë funksionin e saj.

Në një intervistë për Blitz.al, avokati Spartak Ngjela pranon se kanë nisur rekrutimet e para të personave që do të hetojnë pasuritë e gjyqtarëve. Reforma në drejtësi pritet të sjellë rrokadë edhe për avokaturën. Sipas tij, në proceset gjyqësore, avokatët caktohen nga gjyqtarët, duke u kthyer në sekserë të pazareve në emër të drejtësisë. Ngjela deklaron se sistemi i ri i kontrollit të gjyqtarit që pritet të funksionojë ka vënë në presion këta të fundit.

A është Avokatia e Shtetit pjesë e korrupsionit në Shqipëri?

-Reforma në drejtësi është më e madhe se sa e shikoni në fakt, por kjo është pjesa premortiale e saj, ajo pjesa magjike, e cila ka krijuar gjithë shtrembërimin e sistemit.

Gjithë sistemi juridik në Shqipëri është i deformuar, por epiqendra e tij është pushteti gjyqësor, ku përfshihet  prokuroria dhe gjykata.

Pyetja për avokatin është me vend. Por avokatia nuk ka nevojë për ndonjë reformë kush e di se çfarë. Ka nevojë për moralitet.

Ku ka qenë kriza e avokatisë?

-Edhe avokati është në krizë, edhe noteria, dhe përmbarimi. Por këto janë kriza reflekse. Korrupsioni vjen nga gjykata. Po të mos jetë e korruptuar gjykata nuk mund të ketë sekserë avokatë. Avokatia ka qenë e përfshirë në sekserë që paguanin gjykatën.

Ka qenë një partneritet mes gjykatës dhe avokatit si sekser. Dhe gjykatësi vendoste se cili avokat do të mbronte palën në gjykim pasi me të kryheshin marrëveshjet monetare. Po kështu edhe prokuroria. Ka pasur marrëveshjen e vet me avokatin. Por jo të gjithë janë të korruptuar dhe të gjithë janë sekserë. A do të dalë sekseri? Kjo është punë e hetimit. A do goditen sekserët që bashkëpunojnë me gjyqtarët? Edhe kjo është çështje e hetimit. Varet sa i fortë është hetimi për ta provuar.

Nëse pushteti gjyqësor është i pakorruptuar, avokatia fillon të ecë me sistem vlerash. Avokatia nuk ka sistem vlerash sot, sepse drejtësia shitet dhe blihet.

Çfarë ka ndodhur?

-Janë sulur të tërë të marrin një licencë avokatie, janë shoferë dhe karpentierë që mësohen nga gjyqtarë për të vazhduar lojën ligjore në sallën e gjykatave.

Janë shumë gjëra që do të përfshihen në reformë. Mos harroni regjistrat e pronës, ku ka mbivendosje. Reforma vërtet do të jetë e vështirë, por do të krijojë hapësirë për dinjitetin, personalitetin dhe pozicionin real të pronës.

A ka shpresa që njerëzit të besojnë në drejtësi?

-Pas reformës do të kenë shpresa. Pa reformë s’ka shpresë.

Një pushtet gjyqësor i korruptuar ka dhënë dënime, këto dënime nuk mund të jenë reale. Mund të kenë shpëtuar kriminelë dhe dënuar të pafajshëm?

Natyrisht, do të vijë një moment amnistie në Shqipëri.

A preken interesat e gjyqtarit sot?

-Reforma i kthen gati në instrumentë të kontrolluar gjyqtarët që do të vijnë. Mua më erdhën në zyrë dhe më pyetën, që është shkelje e të drejtave personale të njeriut mbajtja nën mbikëqyrje 24 orë kur ai ka edhe jetë private. Sigurisht iu përgjigjja që kjo është me konsensus dhe pëlqim.

Është një rrogë e madhe dhe një përgjegjësi e madhe dhe ti do të kontrollohesh. Ai që e pranon është i qartë për kushtet.

Avokat, a ka nisur rekrutimi i personave që do të drejtojnë Byronë e Hetimit?

-Po, kanë nisur të përzgjidhen personat që do të kryejnë hetimin si dhe kontrollin e kontabiliteteve të personave nën hetim. Janë shumë shqiptarë që po trajnohen në SHBA, janë shpenzuar 20 milionë dollarë deri tani.

Politika amerikane, gjermane dhe ajo perëndimore e ka marrë seriozisht reformën në drejtësi. Korrupsioni ju e patë që i doli ndesh duke e zvarritur procesin.

A mendoni se reforma do të sjellë edhe amnisti për politikën në vend?

-Amnistia politike deri tani është dhënë vetëm për gjyqtarët, të cilët, sipas ligjit, nëse japin dorëheqjen, nuk ka vetting, nuk ka kontroll për pronat.

Korrupsioni ka dy tehe, është drejt individit dhe drejt shtetit. Ky tehu i gjyqtarëve e ka prekur njeriun e thjeshtë. Ai tjetri, shtetin, buxhetin e tij, ndaj është krim më i rëndë.

/Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje