Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervista ekskluzive) Kickboxer-i shqiptar: “E ngrita flamurin grek për respekt ndaj trajnerit tim”

(Intervista ekskluzive) Kickboxer-i shqiptar: “E ngrita flamurin grek për respekt ndaj trajnerit tim”
February 03
12:57 2017

Nga Elton Dono

Më 29 janar, kickboxer-i shqiptar Florian Marku fitoi një ndeshje shumë të rëndësishme në kategorinë e tij 70 kg përballë qindra shqiptarëve që kishin mbushur sallën e sportit në Ivanofio të Selanikut në Greqi.

Ai u ndesh dhe fitoi përballë danezit Hassan Muhareb në një ndeshje që u mbyll në raundin e pestë.

Marku fitoi me meritë, edhe pse rreth një muaj më parë kishte kryer një operacion nga bajamet.

Por ajo që tërhoqi më tepër vëmendjen e mediave dhe qytetarëve ka qenë një gjest i Markut në fund të takimit, pasi ai ngriti njëkohësisht në ajër dy flamuj, të Greqisë dhe Shqipërisë.

Një veprim i tillë nuk është pritur mirë nga të gjithë dhe shumë komentues e kanë kritikuar Markun duke e akuzuar madje edhe si “tradhtar”.

Për të mësuar më tepër mbi arsyet se pse Marku e bëri këtë veprim, Blitz.al kontaktoi me sportistin 24-vjeçar dhe zhvilloi një intervistë me të.

       

 

PROFILI I FLORIAN MARKUT (Marrë nga faqja e tij zyrtare http://www.florian-marku.com/index.html)

Florian Marku ka lindur më 29 shtator 1992 në Shqipëri dhe ushtron që në moshën 12-vjeçare sportin e kickbox-it. Ai ka jetuar pjesën më të madhe të viteve në Greqi, ku ka shkuar si emigrant me familjen e tij.

Florian Marku është akuzuar në vitin 2009 për një grabitje me dhunë dhe është dënuar me burg. Gjatë qëndrimit në burg ai është bërë besimtar mysliman. Marku ka fituar titullin botëror dhe ka marrë medalje ari në kategorinë WKU përballë rusit Simon Postokin.

 

INTERVISTA E PLOTË

Në intervistën e realizuar mund të lexoni në detaje arsyet se pse Marku ngriti flamujt grek dhe shqiptar në shenjë triumfi pas fitores së arritur.

 

Florian, ju fituat një titull në kickbox në datën 29 janar në një ndeshje përballë danezit Muhareb.  Na tregoni pak më tepër se çfarë është çmimi në sportin e kickbox-it. Varion në bazë të peshës së sportistit, apo diçka tjetër?

Çdo ndeshje është sipas kilogramëve të njëjtë, unë ndeshem në peshën 70 kg.

Për ta njohur më mirë publiku shqiptar, kush është Florian Marku? Si ka ecur karriera juaj deri sot dhe pse keni ndjekur këtë rrugë?

Kam fituar 4 herë titullin kampion bote, 1 herë Europianin.  Kam luajtur 81 ndeshje gjithsej deri tani në karrierën time dhe kam vetëm 3 humbje. Boksin e kam filluar në moshën 12-vjeçare.

Cilat janë ambiciet tuaja në këtë sport? Kush është kundërshtari më i fortë me të cilin jeni ndeshur dhe një kundërshtar me të cilin do të donit të përballeshit në të ardhmen?

Kam dëshirë të bëj histori në këtë sport. Dua t’i tregoj gjithë botës se çfarë aftësie kemi ne shqiptarët dhe çfarë zemre.  Gjithashtu kam dëshirë të futem në kategorinë “UFC  mma” dhe në “GLORY”.

2 ditë më parë ju triumfuat në ndeshje, edhe pse kishit pasur probleme shëndetësore më parë. Sa e vështirë ishte fitorja?

Fitorja s’ishte e vështirë,  përveçse u lodha shumë sepse bëra operacion 1 muaj para, kur hoqa bajamet, prandaj s’kisha kohën e duhur për t’u përgatitur. Megjithatë unë dhashë shpirtin në ring dhe e mora fitoren.

Si u ndjetë në sallën e sportit në Selanik, përpara qindra shqiptarëve?

Mund të them se ishte diçka e papërshkrueshme.  M’u rrëqeth mishi kur u futa dhe pashë gjithë ata shqiptarë aty.

Në fund të ndeshjes, ju ngritët lart si triumf 2 flamujt, të Shqipërisë dhe Greqisë. Por një gjest i tillë ka shkaktuar reagime nga shqiptarët. Shumë prej tyre ju kanë vlerësuar për fitoren dhe gjestin, ndërkohë që disa të tjerë ju kanë kritikuar. Si u përgjigjeni këtyre kritikave? Pse i ngritët të dy flamujt?

Kush më ka ndjekur e di shumë mirë se sa patriot jam. E kam ngritur flamurin tonë në mes të Gjermanisë, para plot 10.000 vetave. Edhe në çdo ndeshje e ngre. Flamurin grek e ngrita në shenjë respekti ndaj trajnerit tim, i cili ma dha flamurin kur isha në ring dhe unë s’mund t’ia ktheja.

 

Çfarë ndjeni për Shqipërinë dhe Greqinë? Ju keni pasaportë greke apo shqiptare?

Kam pasaportë shqiptare dhe s’e ndërroj atë gjithë jetën.

Cila është shtysa dhe motivi më i madh që ju bën të ecni përpara në karrierë dhe në jetë?

-Shtysa ime më e madhe është familja ime, që beson shumë tek unë dhe më përkrah pafund, si dhe të gjithë fansat që kudo ndodhem e mbushin stadiumin.

Marku me nënën e tij

 

 

Komento
Shperndaje