Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(INTERVISTA EKSKLUZIVE) Gara për Kolonjën/ Cilët janë kandidatët dhe projektet e tyre…

Majtas: Ilia Stefo. Djathtas: Dritan Hajro

(INTERVISTA EKSKLUZIVE) Gara për Kolonjën/ Cilët janë kandidatët dhe projektet e tyre…
November 04
13:56 2016

Nga Elton Dono

Hajro: Do të dëbojmë varfërinë nga Kolonja. Stefo: Betejë për zgjidhjen e halleve të kolonjarëve

Më 20 nëntor, Kolonja do të shkojë në zgjedhje për të vendosur kreun e ri të bashkisë. Kolonjarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes 2 kandidaturave: Dritan Hajro, i vendosur nga Partia Agrare Ambientaliste, i mbështetur nga koalicioni i djathtë, si edhe Ilia Stefo, i propozuar nga Partia Socialiste dhe i mbështetur nga koalicioni i majtë.

Por cilët janë kandidatët, e shkuara e tyre, shkollimi, premtimet për Kolonjën, planet e tyre? Pse ata vendosën të kandidojnë për këtë post? Pse kolonjarët duhet të votojnë njërin apo tjetrin nga garuesit?

Kur mbeten edhe 15 ditë nga gara, të dy kandidatët kanë nisur dhe vijuar takimet me banorët e zonës, që përfshin qytetet e Ersekës, e Leskovikut si dhe fshatrat përreth në një popullsi që i kalon 20 mijë banorë.

Blitz.al kontaktoi me të dy kandidatët dhe realizoi intervistat e mëposhtme në bazë të disa pyetjeve thuajse të njëjta për të dy. Qëllimi është për të mësuar më tepër mbi 2 njerëzit të cilët aspirojnë drejtimin e një bashkie në vend. Të njohim gjithashtu banorët e zonës mbi programet përkatëse, në mënyrë që të jenë sa më të qartë para kutive të votimit.

Për saktësim, intervistat janë realizuar në formë elektronike për shkak të largësisë së kësaj bashkie.

Blitz.al u ka kërkuar të dy kandidatëve të dhëna mbi pasurinë e tyre monetare e materiale, por asnjëri nuk e ka deklaruar atë.

 

Përmbledhje e pikave kryesore të premtimeve të kandidatëve:

 

Hajro:

-Varfëria në Kolonjë është ulur këmbëkryq. Do të duhet ta dëbojmë!

-Dy investitorë vendas do të jenë prezentë në Kolonjë menjëherë pas fitores dhe fillimit të punës në Bashkinë e Kolonjës.

-Gjatë 2 viteve të para të drejtimit të bashkisë do të hapim 350 vende te reja pune!

– Mentaliteti arkaik i administratës ka hapur plagë të pashërueshme. Kjo do të ndryshojë.

– Për kandidatin kundërshtar vetëm di që ka qenë dikur këshilltar i Partisë Demokratike në Ersekë, sot rilindas.

 

Stefo:

– Puna dhe kontributi për vendlindjen është edhe një detyrim e përgjegjësi.

– Do të shërbej për një orë në ditë pranë spitalit të Ersekës si vullnetar.

– Do të realizohet brenda 6 muajsh projekti i ujësjellësit, do të bëhet hyrja e qytetit të Leskovikut, do të rindërtohet shtëpia e Fan Nolit në Qytezë.

– Të gjitha projektet e nisura do të ecin përpara dhe me mbështetjen e qeverisë.

-Bujqësia dhe turizmi janë dy kolonat kryesore ku unë shikoj të ardhmen dhe zhvillimin e Kolonjës.

-Do të preferoja të kisha në skuadrën time sa më shumë të rinj që e duan Kolonjën.

 

 Më poshtë gjeni intervistat e plota:

 

Po e nisim me intervistën e kandidatit të djathtë Dritan Hajro.

Curriculum:

-Lindi më 3 mars 1975, i martuar me znj.Aida Hajro (Mehmeti), baba i dy fëmijëve, vajzës Livia 14 vjeç dhe djalit Enea 11 vjeç.

-Në vitin 1995 përfundoi studimet e mesme në Shkollën e Mesme të Përgjithshme NJ.A. Mollas, Kolonjë.

-Në vitin 2011 u diplomua në Degën Juridik, Fakulteti i Drejtësisë, master pranë Universitetit të Tiranës.

-Në vitet 1996-2002 jeton si emigrant ekonomik në Greqi.

-Në vitet 2003-2005 shërben pranë forcave të rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

-Nga viti 2011 dhe në vazhdim, administrator i aktivitetit të tij sipërmarrës.

-Njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja: anglisht dhe greqisht.

hajro-duka

    1. Hajro, ju tashmë jeni kandidati zyrtar i koalicionit të djathtë dhe konkretisht Partisë Agrare për të marrë drejtimin e Bashkisë së Kolonjës. Pse zgjodhët të kandidoni dhe kush jua bëri ftesën?

    -Sugjerimin për kandidimin tim e kanë bërë një grup intelektualësh nga Kolonja, që njohim mirë familjen time dhe mua personalisht, kontributet e familjes Hajro ndër vite dhe në të gjitha periudhat historike në të cilave ka kaluar vendi. Ky grupim intelektualësh dhe qytetarësh pra i sugjeruan z.Agron Duka që të jem unë kandidati në këtë garë elektorale për pushtetin vendor në Kolonjë. Z.Duka, mes disa kandidaturash, përzgjodhi dhe vendosi që unë të isha kandidati për kreun e Bashkisë së Kolonjës.

    1. Cilat janë pikat kryesore të programit tuaj për Kolonjën? Renditini…

    -Për hartimin e Planit Strategjik të Zhvillimit të Integruar të Kolonjës po punon prej disa javësh tashmë një grup specialistësh dhe ekspertësh nga fusha të ndryshe të zhvillimit social-ekonomik të vendit.

    Katër janë akset /boshtet apo brinjët e tetragonit të zhvillimit:

    1. Mjedisi
    2. Bujqësia
    3. Agrobiznesi
    4. Agroturizmi

    Mbrojtja e mjedisit dhe konservimi me fanatizëm i pasurive natyrore, florës, faunës, burimeve hidrike, pyjeve dhe kullotat dhe gjithçkaje që natyra na ka dhënë dorëhapur; na bie për detyrë t’i administrojmë siç duhet: njeriu në shërbim të mjedisit, mjedisi, banesa dhe pasuria për njeriun.

    1. Çfarë do të bëni ndryshe nga paraardhësit tuaj dhe a do të vijoni ndonjë projekt të kaluar, apo do të ideoni projekte të reja?

    -Paraardhësi im ishte një djalë kolonjar për të cilin gëzoja respekt, sot e mbart brenda meje si një shembull këmbënguljeje dhe pune. Kur të ulem në zyrën e kryetarit do të shoh në detaje me të gjithë personelin e bashkisë çfarë është nisur, çfarë duhet vazhduar, si dhe në çfarë radhe prioritare.

    Projekte të reja do të kemi, por do t’i quaja projekte emergjence, projekte akute, sepse sot Kolonja përballet me probleme që cënojnë direkt jetën dhe të përditshmen e çdokujt. Varfëria në Kolonjë është ulur këmbëkryq. Do të duhet ta dëbojmë!

    1. A keni plan për afrimin e ndonjë investitori të huaj në Kolonjë apo do të bazoheni te kapitalet vendase dhe ato qeveritare?

    -Investitorë vendas, sipërmarrës sot nga më të fuqishmit në tregun shqiptar i kanë sytë nga Kolonja dhe mund t’ju them, megjithëse kisha vendosur ta bëja publike si informacion ditën e prezantimit të Planit Strategjik të Zhvillimit, se dy investitorë vendas do të jenë prezent në Kolonjë menjëherë pas fitores dhe fillimit të punës në Bashkinë e Kolonjës.

    Një zyrë e veçantë gjithashtu do të jetë e orientuar drejt projekteve komunitare, për të thithur çdo fond të mundshëm, programet IPA, nga organizma ndërkombëtarë, UN, BE, REC, USAID, SIDA, ADA, Kooperacioni Zviceran  dhe të tjerë donatorë vendas dhe të huaj.

    1. A keni një projekt dhe çfarë konkretisht për hapje vendesh pune në Kolonjë?

    -Po ju them vetëm këtë, gjatë 2 viteve të para të drejtimit të bashkisë do të hapim 350 vende te reja pune!

    1. Cilat kritere do të përdorni për punësimin në Bashkinë e Kolonjës, partiake apo profesionale?

    -Bashkia e Ersekës i ka punonjësit / personelin e saj. Një mentalitet arkaik (megjithëse i ri në moshë, 25-vjeçar, në tranzicionin e gjatë pluralist) i ndryshimit të personelit, që ka hapur plagë të pashërueshme në administratën publike, nuk mund të jetë as mentaliteti im dhe as praktika ime e punës.

    Partitë mes kolegjialitetit mund dhe duhet të hartojnë politika dhe të ngrenë kauza.

    1. Çfarë mendoni për kandidatin kundërshtar Stefo?

    -Nuk mendoj për kandidatin, ai ka fushatën e tij përballë meje. Për kandidatin kundërshtar vetëm di që ka qenë dikur këshilltar i Partisë Demokratike në Ersekë, sot rilindas.

     

    8. Si e shihni garën? Mendoni se do të jetë e vështirë?

    -Gara është mes dy njerëzve krejt të ndryshëm, në mentalitet, moshë, profesion, prirje, synime dhe objektiva.

    Nuk po e marr lehtë, personalisht po punoj si të jetë një garë e vështirë, megjithëse nuk është, sepse kërkoj prej kolonjarëve të bëjnë diferencë të dukshme në rezultat, si dhe të ndryshojmë pas 25 (apo 75) vitesh drejtimin e pushtetit vendor në Kolonjë.

     

    Curriculum i kandidatit të majtë, Ilia Stefo

    -Dr. Ilia Stefo është baba i dy djemve, ai ka lindur më 29 korrik 1959 në qytetin e Ersekës.

    -Në vitin 1978 mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi”, mesatarja 9.7.

    -Në vitin 1979 filloi studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Mjekësi e Përgjithshme, që e përfundoi në vitin 1984 me mesatare 8.3.

    -Pas përfundimit të fakultetit u emërua mjek i përgjithshëm në spitalin e Ersekës.

    -Në periudhën shtator 1985 – korrik 1988 kreu specializimin pasuniversitar pranë Klinikës Universitare të Kirurgjisë, Spitali Nr.2 Tiranë, ku mori titullin mjek kirurg.
    -Nga viti 1993 u emërua shef reparti i kirurgjisë, detyrë të cilën e ka kryer deri në nëntor 1997, kur u transferua në Korçë.
    -Nga 15 maji 2001 -31 tetor 2001 është specializuar pranë Klinikës së Urologjisë, Tiranë.

    -Dr. Ilia Stefo është zotërues i gjuhës frënge dhe njeh gjuhën angleze.

    -Nga janari 2013 e në vazhdim është Shef i Shërbimit të Kirurgjisë.

ilia-stefooooo

 

    1. Stefo, ju tashmë jeni kandidati zyrtar i koalicionit të majtë dhe konkretisht Partisë Socialiste për të marrë drejtimin e Bashkisë së Kolonjës. Pse zgjodhët të kandidoni dhe kush jua bëri ftesën?

    -Unë u jam mirënjohës drejtuesve të PS-së dhe anëtarësisë së saj që më propozuan, ndonëse nuk kam qenë anëtar i strukturave të partisë. Ky vlerësim më ka prekur dhe më ka rritur përgjegjësinë për të justifikuar besimin e dhënë me punë të palodhur. E pranova me kënaqësi këtë kandidim, shërbimi për njerëzit më jep kënaqësi. Puna dhe kontributi për vendlindjen është edhe një detyrim e përgjegjësi.

     

    1. Pse zgjodhët të braktisni zanatin e mjekut për politikën?

    -E di që drejtimi i një bashkie të merr shumë kohë dhe energji, por unë nuk do ta braktis mjekësinë, do të shërbej për një orë në ditë pranë spitalit të Ersekës si vullnetar.

    1. Cilat janë pikat kryesore të programit tuaj për Kolonjën? Renditini…

    -Unë kam ndërtuar një program të bazuar në 10 shtylla, me synimin dhe ambicien e rritjes së efikasitetit të punës së bashkisë, rritjen e mirëqenies dhe punësimit për banorët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.

        Për bujqësinë dhe blegtorinë

        Për zhvillimin ekonomik dhe turizmin

        Për infrastrukturën 

       Për mjedisin dhe natyrën

    • Rigjenerimi i të gjitha sipërfaqeve pyjore në bashkinë e re
    • Ngritja e sistemit të grumbullimit të mbetjeve urbane në vendgrumbullimin e rehabilituar
    • Parku i gjelbëruar në qytetin e Ersekës

        Për trashëgiminë dhe kulturën

    • Rindërtimi i shtëpisë të “Fan Nolit” në fshatin Qytezë
    • Kthimi në atraksion turistik i kompleksit monumental “Borova Martire”
    • Rikonstruksioni dhe modernizimi i Pallatit të Kulturës

         Për arsimin

    Për shëndetësinë, për të rinjtë dhe fëmijët, bashki sociale, për njerëzit e Kolonjës dhe Leskovikut jashtë bashkisë

    1. Çfarë do të bëni ndryshe nga paraardhësit tuaj dhe a do të vijoni ndonjë projekt të kaluar, apo do të ideoni projekte të reja?

    -Të gjitha projektet e nisura do të ecin përpara dhe me mbështetjen e qeverisë, e cila është plotësisht e angazhuar për të mbështetur projektet madhore të bashkisë së Kolonjës, siç janë ujësjellësi i Ersekës, hyrja dhe qendra e Leskovikut, restaurimi i gjimnazeve të Leskovikut, Mollasit dhe Ersekës etj.

    1. A keni plan për afrimin e ndonjë investitori të huaj në Kolonjë apo do të bazoheni te kapitalet vendase dhe ato qeveritare?

    -Ambicia ime është që Kolonja të bëhet një zonë më e mirë dhe me më tepër mirëqenie, do të impenjohem çdo ditë për të shfrytëzuar potencialin e mrekullueshëm që kanë qytetet dhe fshatrat tanë dhe padyshim do të krijojmë të gjitha kushtet për afrimin e investitorëve vendas dhe të huaj.

    1. A keni një projekt dhe çfarë konkretisht për hapje vendesh pune në Kolonjë?

    -Bujqësia dhe turizmi janë dy kolonat kryesore ku unë shikoj të ardhmen dhe zhvillimin e Kolonjës. Përmirësimi i kapaciteteve pritëse për turizmin dhe mbështetja për prodhimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale do të jenë disa nga ndërhyrjet për të nxitur punësimin. Kemi në plan hapjen edhe këtu të një qendre të formimit profesional falas për të rinjtë.

    1. Cilat kritere do të përdorni për punësimin në Bashkinë e Kolonjës, partiake apo profesionale?

    -Unë jam mjek dhe kam një disiplinë pune e cila më ka mësuar që për 30 vjet të mos gaboj asnjëherë. Këtë do të kërkoj edhe nga punonjësit e bashkisë dhe të të gjitha njësive administrative. Për sa u përket kritereve të punësimit, ato janë shumë të qarta në bazë të legjislacionit në fuqi. Do të preferoja të kisha në skuadrën time sa më shumë të rinj që e duan Kolonjën.

    1. Çfarë mendoni për kandidatin kundërshtar, Hajro?

    -Nuk kam një njohje të afërt me kandidatin, por dua të theksoj se në këto zgjedhje unë shoh përballë problemet dhe hallet e banorëve të Ersekës, Leskovikut dhe gjithë kolonjarëve. Kjo është sfida ime, kjo është beteja ime që unë dua ta fitoj.

    1. Do të jetë e lehtë të fitoni, apo shihni një garë të vështirë?

    -Nuk do të bëhesha pjesë e kësaj gare në qoftë se nuk do të isha i bindur për rezultatin dhe për atë që ka nevojë vendlindja ime.

erseka_kolonja

 

Në një vështrim të shkurtër, faqja online e bashkisë ekziston si link, por nuk ka asnjë funksion dhe nuk është e përditësuar nga kjo bashki.   http://www.kolonja.gov.al/#

Zgjedhjet në Kolonjë janë të pazakonta, pasi ish-kreu i kësaj bashkie, i zgjedhur më 21 qershor 2015, Arben Malo i LSI-së, ndërroi jetë në gusht të këtij viti pas një ataku kardiak në banesën e tij. Pas kësaj ngjarjeje, Presidenti i Republikës vendosi datën 20 nëntor për zgjedhjet që do të vendosin administratorin e radhës të një prej bashkive më të vogla në vend nga popullsia, por relativisht të mëdha për sa i përket sipërfaqes.

 

SHËNIM: Çdo media që dëshiron të publikojë intervistat, është e lutur t’i citojë ato. Faleminderit!

Komento
Shperndaje