Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

INSTAT – Lezhjanët, të parët jo vetëm për alkool, por edhe për numrin e martesave…

INSTAT – Lezhjanët, të parët jo vetëm për alkool, por edhe për numrin e martesave…
October 16
12:01 2018

Statistika të reja janë publikuar nga INSTAT, këtë herë përsa i përket numrit të martesave në vitin 2017. Të dhënat tregojnë se në fakt trendi i martesave në rang vendi është në rënie, duke shënuar vitin e kaluar dhe rekordin më të ulët. Kështu janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile rreth 22.5 mijë martesa. Shifra është ulur 0.4% krahasuar me një vit me parë dhe 5.7% krahasuar me vitin 2013.

Sipas shifrave, duket se vendi ynë është duke e humbur besimin tek institucioni i martesës, megjithëse jo i gjithë vendi. Qyteti i Lezhës kryeson listën për numrin e martesave në vitin 2017, njësoj si kryesonin dhe atë të shpenzimeve për alkoolin. Norma e martesave në këtë qytet ishte 10.2 për 1000 banorë, dukshëm më e lartë se mesatarja e gjithë Shqipërisë e cila ishte 7.7.

Qytetet e tjera që kanë një numër më të lartë se mesatarja kombëtare janë Berati, me 9.2 martesa për 1000 banorë, Dibra me 8.7, Durrësi dhe Fieri secila me 8.3 martesa dhe Elbasani me 8.2. Ndërkohë Vlora, Shkodra apo Korça kanë një normë më të ulët se ajo kombëtare. Rekordin më të ulët për martesat e lidhura gjatë 2017-ës e mban Tirana. Kryeqyteti ofron mundësi më të mëdha për të ardhura më të mira, mundësi jetese apo punësim, megjithatë mesatarja e martesës është vetëm 6.8 për 1000 banorë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje