Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Importi i mbetjeve, Rama: Kemi punuar dy vjet për këtë ligj, referendumin s’e lejoj

Importi i mbetjeve, Rama: Kemi punuar dy vjet për këtë ligj, referendumin s’e lejoj
September 29
21:52 2016

I ftuar në emisionin “Opinion”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se ligji i importit të mbetjeve që u miratua pak ditë më parë në parlament, nuk është miratuar tak fak, por për të është punuar dy vjet.

Pas publikimit të fjalës së tij në foltoren e Kuvendit në 2013-ën, ku Rama ka deklaruar: “Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk do të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve të dobëta në standarde, si Shqipëria, i hapin rrugë importit të plehrave dhe këto janë interesat e jashtëzakonshme financiare.”, kryeministri sot thekson se nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë.

“Plehrat janë mbetje që nuk mund të ripërdoren më. Ndaj, nuk bëhet fjalë për plehra. Doganat tona kanë skanera që dedekotojnë çdo lloj lënde të rrezikshme dhe iu siguroj se bëhet fjalë vetëm për mbetje ku përfshihen (letër, mbetje druri, plastik, alumin). Ky ligj ndryshon nga ligji i 2013-s i cili ishte i cunguar. Iu siguroj që ligji që kemi miratuar nuk ka lidhja me mafian, pasi mafias nuk i intereson riciklimi.”, është shprehur më tej kreu i Qeverisë, i cili referuar përllogaritjeve të Bashkimit Europian, tregoi se matjet në 2004-n tregonin se mesatarja e riciklimit të BE-së ishte 23%, sot është 35% dhe pritet që rritet.

I pyetur nga Blendi Fevziu se përse nuk e lejon referendumin lidhur me ligjin e importit të mbetjeve, Rama tha se nuk mund të lejojë shkeljen e të drejtave të kompanive: “Referendum për të drejtën e kompanive që të blejnë lëndë të parë jashtë nuk bëhet, ju jeni një kërcënim i madh që alarmoni publikun me mashtrim që vjen nga padija. E gjitha kjo është kriminale.”

Komento