Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ilir Meta: “Do të jap dorëheqjen nga drejtimi i LSI-së”

Ilir Meta: “Do të jap dorëheqjen nga drejtimi i LSI-së”
April 29
10:25 2017

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Meta ka thënë se do ta shpallë publikisht dorëheqjen mbrëmjen e sotme, pasi të shpallet lista përfundimtare e listave për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pjesë nga fjala e Ilir Metës:

Dua të falënderoj opozitën për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kësaj periudhe në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta mirëkuptojmë për mungesën e pjesëmarrjes, që nuk do të ndikojë tek unë në të ardhmen, por do të forcojë bashkëpunimin politik.

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë presidentin Nishani për telefonatën e tij dhe mesazhin e menjëhershëm dhe dua të shpreh konsideratën time më të lartë.

Jam këtu fare thjesht për t’ju dhënë përgjigje pyetjeve për të cilat dje isha fare i papërgatitur.

Pas konsultimeve me këshilltarët juridikë, edhe pse detyrimet e mia fillojnë pas betimit si president më 24 korrik, deri atëherë mund të vijoj me të gjitha angazhimet e mia politike dhe institucionale, ju bëj të ditur se do të jem kryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri në ditën e betimit si president i vendit. Do të jap dorëheqjen para këtij betimi për arsye të vetë lidhjes ndërmjet këtyre dy detyrave edhe në planin kushtetues, edhe në planin institucional. Aq më tepër që javën e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare.

Edhe pse do të vazhdoj të jem kryetar i LSI-së deri më 23 korrik, pas publikimit të listave të LSI-së për deputetë, do të heq dorë nga të gjitha funksionet drejtuese të LSI-së. Po kështu, në listën e partive që do të publikohen nga KQZ-ja për qytetarët shqiptarë, te LSI nuk do të jetë emri i Ilir Metës, por i Petrit Vasilit, që sipas statutit të LSI-së merr drejtimin e kësaj force politike dhe do të shprehet edhe LSI-ja në javët në vijim.

Mendoj që nga ana etike dhe morale duke pasur në konsideratë situatën aktuale nuk është detyra dhe obligimi im që të bëj premtime në emër të LSI-së, meqenëse më 24 korrik unë do të betohem si president i vendit për 5 vitet në vazhdim, kështu që do të jetë detyra e z. Vasili për të shpalosur programin e LSI-së.

Po kështu, nga dita e sotme unë shkarkohem nga çdo lloj raporti partiak me PS-në si koalicion, pasi të gjitha i kalojnë z.Vasili.

Shperndaje