Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dalja nga marrëveshja për klimën, e gjithë bota kundër Trump-it. Obama dhe DiCaprio, komente të forta

Dalja nga marrëveshja për klimën, e gjithë bota kundër Trump-it. Obama dhe DiCaprio, komente të forta
June 02
10:03 2017

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi që të tërheqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e Parisit për klimën e pas kësaj dhjetëra shtete apo personalitete botërore kanë reaguar ashpër ndaj tij.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi vendimin amerikan një zhgënjim të thellë, ndërsa Bashkimi Europian, në një komunikatë për shtyp, tha se kjo ishte një ditë e trishtë për botën.

Presidenti Trump tha se ishte i përgatitur që të negocionte një marrëveshje të re apo të fliste për përmirësimin e të vjetrës, ndërsa shtoi se ishte zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët e Pitsburgut dhe jo ata të Parisit.

SHBA gjithashtu do të ndalojë financimet për fondin e klimës së gjelbër të OKB-së.

Por cilët reaguan ndaj Trump më fort se asnjëherë më parë?

Një prej tyre ishte ish-presidenti amerikan Barack Obama, si një nga themeluesit e marrëveshjes.

Në një intervistë në televizion, Obama u tregua i kufizuar me komentet, por gjithsesi tha se Amerikës për momentin i mungon një lidership i duhur si dhe shtoi se vendimi në fjalë përkthehet në një refuzim të së ardhmes.

Zhgënjim të thellë për veprimin e Trump-it shprehën kryeministrat e Kanadasë dhe Britanisë së Madhe, respektivisht Justin Trudeau dhe Theresa May, ndërsa presidenti francez Emanuel Macron tha se ky është një gabim për SHBA-në dhe planetin.

Japonia, jashtë natyrës së saj, shprehu jo vetëm zhgënjim, por zemërim.

Gjermania, Franca dhe Italia nxituan të mohojnë rinegocimin e marrëveshjes, duke deklaruar se pakti i vitit 2015 në Paris është i pakthyeshëm si një instrument jetësor për planetin.

Për heqjen dorë nga marrëveshja reagoi edhe një prej personaliteteve të artit botëror, i cili prej disa vitesh tashmë është përfshirë fuqishëm në një luftë të hapur ndaj ngrohjes globale.

Leonardo Di Caprio ka shkruar në rrjete sociale:

“Sot e ardhmja e jetueshme e planetit tonë është kërcënuar nga vendimi i pakujdesshëm i presidentit Trump. E ardhmja jonë në këtë planet është tani më në rrezik se asnjëherë më parë. Për amerikanët dhe gjithë botën ky vendim  është thellësisht anti-kurajues. Tani më shumë se kurrë ne duhet të jemi të vendosur të zgjidhim çështjet e ndryshimit të klimës, si dhe të sfidojmë ata liderë që nuk besojnë te faktet e shkencëtarëve apo të vërtetat empirike”,- shkruan DiCaprio.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje