Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Igli Totozani: Dyshojmë se jetimët që mbushin 18 vjeç përdoren për prostitucion e trafik droge

Igli Totozani: Dyshojmë se jetimët që mbushin 18 vjeç përdoren për prostitucion e trafik droge
May 21
09:48 2016

Avokati i Popullit Igli Totozani ka shprehur shqetësimin mbi vështirësitë që has një jetim, nisur nga ngjarjet e fundit të turpshme në jetimoren e Shkodrës.

I ftuar për të diskutuar mbi këtë ngjarje në emisionin “Oktapod” në Vizion Plus, Totozani theksoi se në bazë të ligjit aktual, çdo jetim që mbush 18 vjeç del në rrugë pa mundësi shpëtimi.

Sipas tij, ai përfiton një asistencë fare të vogël nga shteti dhe nuk ka të siguruar as shtëpi, asgjë tjetër. Për këtë arsye, sipas Avokatit të Popullit duhet riparë i gjithë sistemi i trajtimit të kësaj shtrese, pasi sistemi aktual është i vjetruar dhe i vë ata në rrezik.

“Kemi dyshime të forta dhe po hetojmë se femrat jetime që detyrohen të lënë jetimoret për shkak se mbushin 18 vjeç përfundojnë prostituta, ndërsa djemtë përfshihen në trafik droge”, – ka deklaruar ai, duke dëshmuar për një situatë kritike.

Për sa i përket ngjarjes në jetimoren e Shkodrës, Avokati i Popullit theksoi se inspektorët e këtij institucioni mbetën të shokuar nga deklarimet e fëmijëve. Për Totozanin, i takon prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të gjejnë edhe autorët e vërtetë të përdhunimit dhe abuzimit.

Ai gjithashtu zbuloi se fëmijët kanë pasur presion nga punonjësit për të mos treguar shumë për ngjarjen tek organet e drejtësisë.

“Ekziston frika se mund të ketë edhe disa raste të tjera të ngjashme”, – ka vënë gjithashtu në dukje Igli Totozani.

Në opinionin e tij, gjithçka ka ndodhur vjen edhe për shkak se këto qendra janë të mbyllura për publikun, nuk vizitohen as nga mediat, ndaj janë të prirura të prodhojnë dukuri negative.

Etiketimet
Shperndaje