Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) I vunë gjobë një biznesmeni, arrestohen dy anëtarë të bandës së Shullazit

(Video) I vunë gjobë një biznesmeni, arrestohen dy anëtarë të bandës së Shullazit
October 13
14:04 2016

Nga Anduena Llabani

Dy shtetas që akuzohen se janë anëtarë të bandës së Emiljano Shullazit janë vënë në prangat e policisë. Urdhri për arrestimin e tyre është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë arrestuar në ambientet e një lokali pranë Burgut 313 në Tiranë. Në ndalimin e tyre janë angazhuar edhe forcat “Shqiponja”. Prokuroria bën me dije se të arrestuarit akuzohen se i morën një shumë parash prej 1 milion eurosh një biznesmeni.

Mësohet se këta persona kanë përfituar sasi monetare nga ana e biznesmenit në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, duke përdorur dhunë fizike dhe verbale.

Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

INFORMACION, PROKURORIA PËR KRIME TË RËNDA

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, të dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vendimi i gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të policisë së Tiranës mesditën e së enjtes.

Dy të arrestuarit, në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.

Prokuroria për Krime të Rënda është duke zhvilluar hetime për një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për “gjobëvënie”. Gjatë këtij hetimi, fillimisht janë arrestuar shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmano Dani dhe Blerim Shullazi.

Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasit Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga Nenet 109/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Qyqja dhe Zela, që janë miratuar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.

 

Etiketimet
Shperndaje