Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

I kërkoi favore seksuale klientes së divorcuar, pezullohet nga detyra gjyqtari Shyqyri Çobo

I kërkoi favore seksuale klientes së divorcuar, pezullohet nga detyra gjyqtari Shyqyri Çobo
June 29
12:34 2016

Gjyqtari i Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, është pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda. Ai dyshohet për konsumimin e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.

Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.

Rezulton se kallëzuesja ka qenë në proces divorci kur gjyqtari Shyqyri Çobo i është ofruar asaj për ta ndihmuar me një avokat meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Pasi kanë shkëmbyer numrat e telefonit, gjyqtari i ka dërguar një mesazh kallëzues në po të njëjtën ditë, ku i njofton gjetjen e avokatit dhe i kërkon ta konsiderojë mik.

E frikësuar nga mesazhet e vazhdueshme dhe pasi kishte kuptuar qëllimin e gjyqtarit, shtetësja I. T i është shmangur atij dhe e ka kallëzuar pranë Policisë Vendore.

Në mesazhet e dërguara të gjyqtarit, është konstatur qartë tendenca e tij për të bindur kallëzuesen për krijimin e një lidhje intime.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.