Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Humbi jetën pasi lindi djalin, mjekët dënohen me 400 mijë lekë gjobë për vdekjen e gruas së Alban Hoxhës

Humbi jetën pasi lindi djalin, mjekët dënohen me 400 mijë lekë gjobë për vdekjen e gruas së Alban Hoxhës
November 01
10:45 2019

25­ vjeçarja Dorina Haka ndërroi jetë nëntorin e vitit 2014-të, pak ditë pasi solli në jetë një fëmijë, fryt i martesës me portierin e Partizanit, Alban Hoxhën, ndërsa për vdekjen e saj u vunë nën akuzë mjekët që e asistuan në lindje.

Prindërit e saj jetojnë ende me plagën e vdekjes së parakohshme të 25-vjeçares, e mbi të gjitha për shkak të pakujdesisë së mjekëve.

“24 orë që nuk ka ardhur mjek. Një herë i kanë matur tensionin, të paktën për sa kam qenë unë. Dhimbja e kokës i ka ardhur kur nuk isha unë. Kur shkuam në dhomë, dhoma ishte bosh”, tregon mes lotësh e ëma e Dorianës.

Ndërsa për çunin, i cili do mbushë 5 vjeç, ajo thotë se “ka ikur tek halla në Itali. Kur është në kopsht fëmijët thërrasin mami, mami, mami, edhe ai dikur do ta thoshte këtë fjalë. E dinte që Dori është mami vet, (dhe pyet) pse kam dy mama unë? Unë iki largohem, nuk kthej dot përgjigje. Është i vogël”.

Çfarë ndodhi realisht me gjendjen shëndetësore të Dorianës? Pse gjendja e saj pas lindjes u përkeqësua? A iu dha ndihma mjekësore në kohën e duhur?

“Goca ra në gjendje kome dhe shkoi tek neurologjia. Më thirri infermierja dhe shkova. Më pyeti nëse ka pas reaksion dhe çfarë mjekimi merrte edhe Elona ka qenë prezente. (Ato duhej të ishin pyetur në fillim fare), por nuk janë pyetur. Kjo është e gjitha”.

Pas humbjes së jetës, u regjistrua vepra penale për dy mjekët e maternitetit, anestezisten Elona Burba dhe mjekun Petrit Rexhepi. Dy akt-ekspertimet konstatojnë se moskryerja e analizave para operacionit, ishte shkaku i vdekjes së të resë.

Pas seancave të tensionuara, gjyqtari i çështjes Altin Abdiu në fund të procesit i shpalli mjekët fajtorë, por i dënoi ata me gjobë 400 mijë lekë.

“Gjykata në përfundim të gjykimit konkludoi në vendimin e saj që mjeket të dënohen me nga 400 mijë lekë gjobë. I deklaron fajtorë gjykata për mjekim të pakujdesshëm, por masa e dënimit është 400 mijë lekë gjobë. Kjo gjobë u vihet të pandehurve në raste kur ka dëmtime dhe jo kur ka humbje jete.” tha avokati Bashkim Sulstarova për Tv Klan.

 

Share