Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Homazhet për Françesk Radin. E dërrmuar Rozana Radi: “Nuk të them dot lamtumirë”

Homazhet për Françesk Radin. E dërrmuar Rozana Radi: “Nuk të them dot lamtumirë”
April 04
10:40 2017

Miq, kolegë, familjarë e qindra  qytetarë që dëgjuan këngët e tij, mes lotëve e dhimbjes, i dhanë sot lamtumirën e fundit kantautorit të njohur shqiptar Françesk Radi.

Homazhet u mbajtën në  hollin e Radio Televizionit Shqiptar, për të nderuar kujtimin e tij dhe në shenjë mirënjohje për atë që ai la pas.

Të pranishëm ishin familjarët, të cilët të dërrmuar nga dhimbja kanë pritur ngushëllimet e qytetarëve, të njohur e të panjohur.

Këngëtarja Rozana Radi, mbesa e të ndjerit, e ka përjetuar jashtëzakonisht keq ikjen e xhaxhait të saj.

“Nuk të them dot lamtumirë” – i është drejtuar Rozana xhaxhait të saj mes lotëve dhe dhimbjes në hollin e RTSH-së.

“Pranvera të humbi ty, jo ti pranverën! S’do të them kurrë lamtumirë!”- shkruan Rozana në faqen e saj.

“Më gënjeu jeta! Ju mori shumë shpejt. Unë u rrita me idenë që pas humbjes së babit ti do jesh gjithmonë aty për mua. Kisha ende shpresë dhe arsye të gëzoja, sepse ishe ti që gëzoje për arritjet e mia. S’e di a të kam bërë mjaftueshëm krenar, por di që u mundova të të gëzoja në çdo gjë që bëja. Tregoji babit e mamit kur të shkosh atje lart që ju kam në zemër dhe do të këndoj e shkruaj për të gjitha “Pranverat” që humbët! Po më shtohen shumë engjëj atje lart, nuk dua më!”- shkruante dje Rozana për humbjen e xhaxhait.

Françesk Radi  ishte i shtruar që prej datës 27 mars në QSUT pas një hemorragjie cerebrale, por nuk ka mundur t’ia dalë mbanë  pavarësisht ndihmës së mjekëve. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje