Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historitë rozë të trajnerit të ri të Kombëtares, një kalvar ndarjesh e ribashkimesh

Historitë rozë të trajnerit të ri të Kombëtares, një kalvar ndarjesh e ribashkimesh
July 20
15:50 2017

Trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Christian Panucci, është një nga personazhet më të përfolura të mediave rozë në Itali për shkak të lidhjeve të tij të dashurisë ndër vite.

Ish-lojtari i Interit, Romës, Milanit, Realit të Madridit, madje edhe Chelseat në Angli, njihet në mediat italiane për temperamentin e tij dhe relacionet me gjininë tjetër që nuk i kanë shkuar edhe aq mirë.

Aktualisht Panucci është i fejuar me kërcimtaren e njohur italiane Samanta Togni, të cilën e ka njohur vitin e kaluar ndërsa performonin në spektaklin “Ballando con le stelle” në Itali.

Në mars të këtij viti ata janë bashkuar sërish pas një periudhe krize në marrëdhënien e tyre dhe ndarjeje, pasi Samanta e akuzonte për papjekuri trajnerin aktual të Kombëtares sonë të futbollit.

Por duket se dashuria ka triumfuar dhe ata u ribashkuan.

HISTORITË E TJERA ROZË NË JETËN E PANUCCI-T

Trajneri aktual i Kombëtares nuk ka shënuar gola vetëm në futboll, por edhe me femrat, pasi ka histori të shumta.

 

Isabelle Panucci

I martuar fillimisht me Isabelle Panucci-n, Christian u nda dhe ҫifti ka vetëm një djalë, Juan.

Marrëdhënia e tyre zgjati 7 vjet, nga viti 1999 në vitin 2006.  Në një intervistë për “Vanity Fair” në atë kohë, 36-vjeçarja spanjolle Isabelle është shprehur:

“E doja shumë dhe për të i lashë të gjitha: aktrimin, familjen, miqtë. E kam ndjekur nga Milano në Madrid dhe Londër e Monaco, më pas në Romë. Por në fund u ndamë. Ai dilte shumë dhe më ka kthyer në dedektive. Në fillim zënkat nisën sepse nuk donte që unë të dilja në televizion. Pastaj, pas ndarjes filloi të shoqërohej me një vajzë (Rosaria Cannavo)”,- ka thënë ajo.

 

Raffaella Berge

Në vitin 2006, Christian Panucci është fotografuar në momente afrimiteti me aktoren italiane Raffaella Berge. Por lidhja e tyre duket se është mbajtur e fshehtë dhe asnjëherë nuk është konfirmuar nga të dyja palët.

 

Rosaria Cannavò 

Pas një thashethemi për lidhje me aktoren e televizionit Raffaella Berge në 2006-n, ishte viti pasues ai që do të sillte lajmin e lidhjes së ish-futbollistit me Rosaria Canavo, lidhje e cila gjithashtu përfundoi pa sukses.

Rosaria ka qenë ish-e fejuara e futbollistit Antonio Cassano, shokut të ekipit të Panucci-t.

Ata u ndanë në vitin 2010. Në atë kohë, Panucci tha për mediat arsyet e ndarjes:

“U ndamë se nuk donte fëmijë”, – ka thënë ai.

  

 

 Agnese Junkure

Vitin e kaluar, Panucci ishte pjesëmarrës në spektaklin “Ballando con le stelle” në Itali  ku arriti të renditej ndër gjashtë finalistët, së bashku me partneren e tij në këtë konkurs, Agnese Junkure.

Me këtë të fundit, Christian u përfol se pati një lidhje të shkurtër, pasi u fotografuan së bashku në plazhin e Majamit, si dhe duke drekuar më pranë njëri-tjetrit se kurrë.

Madje në mediat italiane është përfolur se ajo ka qenë edhe një arsye se pse pati një krizë në raportin me të fejuarën aktuale Samanta Togni. Por diçka e tillë nuk u konfirmua nga asnjëri prej tyre.

 

Samanta Togni

Samanta është 36 vjeçe dhe punon si balerinë profesioniste prej vitesh, duke marrë pjesë në një sërë eventesh botërore të kërcimit.

Ka jetuar mes Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve në ndjekje të karrierës së saj.

Në vitin 2005 u kthye në Itali dhe prej atëherë ka jetuar në Romë.

Në vitin 2016 fitoi edicionin  e 11-të të “Ballando con le stelle” bashkë me Iago Garcia.

Në këtë edicion ka kërcyer edhe Panucci, i cili u rendit i gjashti.

Mes tyre ka pasur ulje-ngritje në marrëdhënie, në bazë të asaj që shkruajnë mediat rozë.

Madje pak kohë më parë u përfol se Panucci e Togni do të ndaheshin, pasi Christian u fotografua në plazh me një vajzë tjetër duke drekuar me të më pranë se kurrë.

Por tashmë ata i kanë kaluar këto vështirësi dhe duken më të lumtur se asnjëherë më parë.

@copyright /Blitz.al/

Komento
Shperndaje