Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historike: Britania jashtë Bashkimit Europian!

Historike: Britania jashtë Bashkimit Europian!
June 24
10:05 2016

Ndryshe nga se pritej nga statistikat e “exit poll”-eve paraprake, britanikët kanë vendosur të votojnë kundër qëndrimit në Bashkimin Europian në referendumin e mbajtur për këtë çështje. Rezultati përfundimtar është 52% kundër qëndrimit dhe 48% pro qëndrimit në BE. Nëse do t’i referohemi numrit të votuesve të referendumit të mbajtur paraditen e së enjtes, 17 milionë votues ishin ata që votuan kundër, duke fituar kështu mbi 15.9 milionë që votuan se duan të vazhdojnë rrugëtimin përkrah vendeve të tjera të BE-së.

Britania është vendi i parë që largohet nga 28 vendet anëtare të BE-së dhe kjo dalje i referohet më së shumti krizës ekonomike që prej 2008-s dhe fluksit të madh të emigrantëve që prej vitit të kaluar. Ndërkohë që për Britaninë do të jetë një betejë e vështirë për të dalë pa asnjë dëmtim ekonomik nga BE-ja, për këtë të fundit do të jetë edhe më e vështirë pasi Britania ishte forca e dytë ekonomike pas Gjermanisë.

Nuk dihet ende nëse do të ketë dorëheqje të liderëve pro-qëndrimit në BE, si David Cameron, megjithatë, këto lëvizje priten kur edhe rezultati të certifikohet në fazën përfundimtare.

Komento
Shperndaje