Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historia e Erjon Selimajt, që po kërcënon me vetëvrasje: Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, burgje…

Historia e Erjon Selimajt, që po kërcënon me vetëvrasje: Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, burgje…
October 18
16:01 2016

Erjon Selimaj, i cili ka kërcënuar se do të vetëvritet duke u hedhur nga një vinçi te “Qemal Stafa”, ka qenë protagonist në emisionin “Njerëz në fokus” në televizionin News 24, më 11 prill të këtij viti.

Selimaj nga Vlora ka rrëfyer historinë e jetës së tij duke u shprehur se që 7 vjeç ka ardhur në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ai ka qëndruar aty deri në përfundim të shkollës 8-vjeçare. Më pas ka shkuar në konviktin e Vlorës, te shkolla tregtare, me bursë nga shteti, por është detyruar ta braktiste për shkak të pamundësisë ekonomike dhe ka ardhur në Tiranë, ku është strehuar te konviktet e Hoteleri-Turizëm. Me një urdhër të fundit të Bashkisë së Tiranës, jetimët mbi 18 vjeç duhet të largohen nga konvikti.

“Kam 24 vjet që jetoj vetëm, që në moshën 1 vjeç. Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, në burgje. Babai im e dhunonte mamanë se ishte shumë xheloz dhe mamaja ime u detyrua të na braktiste të 3 ne fëmijëve dhe u largua. Babai na çoi në jetimore. Më vonë e tërhoqi vëllain tim të madh për ta mbajtur vetë dhe ai vdiq në 1997-n. Babai im pastaj kaloi në një gjendje… u sëmur dhe sot është në një spital psikiatrik”, – tregonte në prill Erjoni.

“Babai që atëherë ka pasur luhatje me sëmundjen, ishte me kartelë dhe e dhunonte nënën”, – tha ai.

Erjoni rrëfeu se babai nuk e ka lënë që ta adoptojnë. “Nga fshati unë përfundova në një befotrof me fëmijë të vegjël, foshnja. Vinin familje që të më adoptonin, mua nuk më la plaku që të ikja. Mua m’u dha një mundësi që të ikja në Kanada. Pastaj pas befotrofit, 7 vjeç, erdha në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, për të vazhduar shkollën. E mbarova 8-vjeçaren me rezultate shumë të mira pastaj ika në konviktin e Vlorës, te shkolla tregtare me bursë nga shteti. Aty jeta e konviktit, edhe vetëm, jo libra, jo rroba nuk kisha mbështetje dhe u detyrova ta lija shkollën në vit të dytë. Pastaj përfundova në burg. Doja edhe unë si të gjithë njerëzit të kisha lekë, të blija një çantë, se ma bënin njerëzit me gisht dhe mua më vinte rëndë dhe përfundova në burg. Vodha një kuletë. Kam bërë burg 4 herë, njëherë se vodha 2 paketa Slims”,- rrëfen 24-vjeçari.

Prindërit e mi nuk janë kujtuar asnjëherë për mua. Unë jam kujtuar. Para 2 vitesh kam shkuar ta takoja babanë tim. Doja t’i krijoja jetesën babait, po rashë prapë në burg. E mendoja gjithmonë me vjedhje. Ashtu u rrita unë, u bëra kriminel. Nuk do vidhja bankë po ndonjë 5-milionsh. Më bluante mendja që duhej të bëja diçka që të ndihmoja babain. Se thosha ai është në vdekje dhe dua ta ndihmoj. Sot është 70 vjeç dhe është në Spitalin e Psikiatrisë në Vlorë. U rifuta në burg. Dola dhe jam rehabilituar. Më 22 shtator 2015 dola nga burgu dhe gjithë këtë kohë jam marrë me babain, e çova në spital. Dola në televizor dhe kërkova ndihmë se nuk më ndihmonte asnjëri.

Kam folur me mamanë por nuk është interesuar për mua. Ajo ndodhet në Itali, ka krijuar familje. Nuk ka kuptim të më marrë tani. Unë pres të më marrë. Por nuk mundohet as të më ndihmojë, asgjë, pavarësisht se e di se çfarë kam kaluar. Kam kërkuar ndihmë te prefektja, shërbimi social, kryetari i bashkisë, por asnjë nuk më ka ndihmuar. Dua ta marr babanë nga spitali, do shkoj te kryetari i bashkisë të kërkoj një banesë që të strehohem me babain e të gjej një punë që të jetoj. Unë di të bëj shumë gjëra se më ka mësuar jeta. Si elektricist, hidraulik, di dhe gjuhë të huaja, anglisht dhe pak italisht. Kam kontaktuar edhe te zyrat e punës, si bojaxhi, por nuk më ka marrë njeri në punë”, – tregoi Erjoni./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje