Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Hakmerret” Tahiri, publikon foto të Bashës me një trafikant droge: Turpërohuni dhe mbyllni gojën!

“Hakmerret” Tahiri, publikon foto të Bashës me një trafikant droge: Turpërohuni dhe mbyllni gojën!
September 24
14:44 2016

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka reaguar pas akuzave të opozitës për inkriminim në trafikun e drogës. Përmes një fotoje të postuar pak më parë në llogarinë e tij në Facebook, ministri i drejtohet PD-së me në krye Bashën që të mos përbaltin punën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Ai i kërkon t’i dalin për zot sasisë prej 130 kg drogë që u kap dje në darkë në portin e Durrësit dhe për të cilën është shpallur në kërkim trafikanti që ka dalë në foto me Bashën.

Tahiri shprehet se nuk do që të akuzojë Lulzim Bashën si trafikant apo pronar droge, as të thotë që me këto para financohet PD dhe tellallët e saj, por që të arrihet bashkëpunimi me qytetarët shqiptarë për një Shqipëri më të denjë.

Postimi i plotë i ministrit Saimir Tahiri

Meqë PD sot bëri ritualin ditor të baltosjes ndaj meje dhe policisë, me pretekstin e hashashit, po i përgjigjem me këtë foto që po bën xhiron e rrjeteve sociale.
Në foto është Lulzim Basha me personin e shpallur në kërkim për trafikimin e 130 kg droge dje në darkë në Portin e Durrësit.
Unë nuk e di nëse këtë foto apo të tjera të tilla ose miqësinë e ngushtë historike me Lulzim Bashën, ky trafikant i ka përdorur si pasaportë paprekshmërie apo kredibiliteti, në të kaluarën a qoftë edhe tani.
Por këtu bëjmë dallimin, ne që sot luftojmë trafikun dhe qeveria e shkuar që dje jo vetëm që nuk e luftonte, por më keq akoma, mëkatet që bënte vetë dje, na i lexon neve sot.
Unë nuk kam ndërmend të akuzoj Lulzim Bashën si trafikant apo pronar të drogës që iu kap mikut të tij dhe të partisë së tij. Kjo do ishte e tepërt dhe e padrejtë.
Nuk kam ndërmend as të them se me paratë e drogës që ky me demek biznesmeni kërkonte të trafikonte në Itali financohet PD dhe tellallët e saj që recitojnë te foltorja.
Nuk kam ndërmend të them as se po ky biznesmen trafikant mund të ketë qenë edhe pronari i parcelës ku shkonte bënte foto e video një nga Shqup-istat.
Por nuk kam se si sot, që miku fotografik i Lulzim Bashës dhe PD-së u kap me presh në duar me plot 130 kg drogë që donte t’i trafikonte në Itali, mos t’i them Lulzim Bashës e Shqup-istave të tjerë: Turpërohuni për baltën që keni hedhur e mbyllni gojën!
Kriminelët e trafikantët janë vetëm kaq, kriminelë e trafikantë.
E mbi krimet e tyre ne kemi zgjedhur të mos fitojmë vota duke sharë PD-në, por të fitojmë forcë më shumë për t’u bërë bashkë me qytetarët, për një Shqipëri më të denjë e më të drejtë.
Ndaj na besojnë qytetarët, akoma më shumë partnerët.
Nëse nuk e bëni këtë e doni të vazhdoni baltosjen ndaj meje, policisë e qeverisë, atëherë për barazi kushtesh ju takon sot t’i dilni zot 130 kg drogë e trafikantit të fotos e partisë që u kap dje”.

Komento
Etiketimet
Shperndaje