Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Hahn në Tiranë: Fokusohuni te drejtësia, respektoni vendimet e gjykatave

Hahn në Tiranë: Fokusohuni te drejtësia, respektoni vendimet e gjykatave
March 30
14:26 2016

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, eurokomisioneri Johanes Hahn dha mesazhet e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai theksoi se reforma në drejtësi është prioritet kyç për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Mendoj se kam qenë i qartë sa i përket reformës në drejtësi. Duhet të fokusohemi tek ajo reformë dhe jo t’i ndërlikojmë gjërat. Fokusi duhet të jetë vetëm reforma në drejtësi”,- u shpreh ai teksa apeloi për dialog dhe rinisje të punës. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye pse puna të ngecë. Gjithashtu, komisioneri për Zgjerim i BE-së tha se miratimi i reformës është vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër është zbatimi i kësaj reforme në mënyrë rigoroze.

Gjatë vizitës së radhës në Tiranë, ai kërkoi respektimin e vendimeve të gjykatave të të gjitha niveleve.

“Një gjyqësor funksional është shumë i rëndësishëm për vetë faktin se duhet të jetë funksional për qytetarët e vendit. Prioriteti i parë është ky sepse një gjyqësor funksional është shumë i rëndësishëm edhe për investuesit e huaj, për investimet e DPD-së  që të vijnë në vend dhe të krijojnë vende pune. Por është shumë i rëndësishëm edhe për qytetarët e vendit, të cilët janë të gatshëm që të investojnë me paratë e tyre që të krijohen kompanitë e reja, për vende të reja pune”, – deklaroi Hahn.