Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Grushti i shtetit në Turqi, arrestohet edhe një pedagog shqiptar

Grushti i shtetit në Turqi, arrestohet edhe një pedagog shqiptar
October 12
11:34 2016

Autoritetet turke po vijojnë me arrestimet dhe spastrimet lidhur me tentativën e grushtit të shtetit disa muaj më parë. Ndër dhjetëra, mijëra të dyshuar si anëtarë të lëvizjes me në krye Fethullah Gülen është arrestuar edhe një shtetas i ri shqiptar.

Marjus Hoxha, 25 vjeç, u arrestua më 24 korrik si mbështetës i grushtit të shtetit dhe ndodhet në qelinë e paraburgimit të qytetit Gaziantep, Turqi. Babai i tij tregon se u lajmërua nga konsullata shqiptare në Stamboll për arrestimin e të birit.

“Marjusi mbahet në qeli padrejtësisht. Ai është një djalë shembullor dhe asgjë nga çfarë është ngritur nuk qëndron. Ai ka disa certifikata vlerësimi nga shteti turk gjatë studimeve të tij që tregojnë se kush është Marjus Hoxha në të vërtetë. Ne kemi mall dhe kemi gati 3 muaj që vuajmë burgosjen e padrejtë të djalit tonë dhe presim me shpresë që shteti shqiptar do të bëjë përpjekjet e duhura që ai të lihet i lirë”, – është shprehur Bashkim Hoxha për BIRN.

Pas përfundimit të studimeve në Medresenë e Cërrikut (shkollë e mbështetur financiarisht nga fondacioni SEMA, pjesë e rrjetit të lëvizjes “Gulen” në Shqipëri), Marjus Hoxha fitoi bursë për të vazhduar studimet në Universitetin Shtetëror të Gaziantepit, ku përfundoi studimet bachelor dhe master për Inxhinieri Ndërtimi.

Babai i të riut shqiptar kërkon ndërhyrjen nga ana e shtetit shqiptar për përshpejtim të procedurave të hetimit. Pas arrestimit, Bashkim Hoxha tregon se ka kontaktuar menjëherë me Ministrinë e Jashtme në Shqipëri, por procedurat e tyre kanë qenë të ngadalta. “Vetëm pas më shumë se dy muajsh, një përfaqësues i ambasadës shqiptare në Ankara ka shkuar ta vizitojë në qeli”,- tha ai. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje