Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Greqia vazhdon pretendimet: “Shqipëria të zhdukë urgjentisht termin Çamëri!”

Greqia vazhdon pretendimet: “Shqipëria të zhdukë urgjentisht termin Çamëri!”
February 14
20:10 2018

Pretendimet e shtetit grek ndaj atij shqiptar vazhdojnë përtej kufirit detar dhe varrezave të ushtarëve në jug të Shqipërisë.

Së fundmi, pala greke ia ka parashtruar palës shqiptare këtë kërkesë si kusht të padiskutueshëm në komisionin e përbashkët për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, në një letër përgjigje që i kthen deputetit të pavarur Haris Theoharis, i cili kishte kërkuar sqarime nëse në bisedimet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte shtruar çështja e termave nacionalistë në librat shkollorë të këtyre vendeve. Ky është dokumenti që mban datën 7 Shkurt dhe që vetë deputeti e ka ndarë me ndjekësit e tij në Tëitter. Kotzias shkruan se qeveria greke i ka bërë të qartë palës shqiptare se çdo gjë e papranueshme në përmbajtjen e teksteve duhet të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Gjatë takimit të fundit të Komisionit të Përzier të Ekspertëve Greko-Shqiptar, pala greke ka këmbëngulur në fshirjen nga librat shkollorë të shprehjeve të papranueshme e fyese për unitetin e vendit tonë (Greqisë) si: ‘territoret shqiptare në Greqi’. Por edhe shprehjet dhe hartat në të cilat krahina gjeografike greke shfaqen me emërtimin “Çamëri”, të cilat demonstrojnë, fatkeqësisht, se shtetit shqiptar mbetet i bllokuar në retorike anakronike nacionaliste dhe me qëndrime irredentiste, të dëmshme dhe të rrezikshme në radhë të parë për vetë Shqipërinë”.

Në hartat greke, zona ku shtrihet territori i Çamërisë emërtohet me emrin e dy krahinave Thesprotisë dhe Etolo-Akarnanisë. Gjatë një debati televiziv në televizionin shtetëror grek, Kocias tha se çështja çame nuk ekziston dhe mohoi se ajo po diskutohej në negociatat me Shqipërinë, ndonëse Tirana kishte kerkuar vazhdimisht që ajo të diskutohej në bisedimet dypalëshe. /Blitz.al/

Shperndaje