Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gratë mbështesin gratë: Gjithçka duhet të dini mbi konferencën frymëzuese të “Global Woman” që do të mbahet në Tiranë

Gratë mbështesin gratë: Gjithçka duhet të dini mbi konferencën frymëzuese të “Global Woman” që do të mbahet në Tiranë
August 12
13:30 2019

Pas samitit të suksesshëm vitin e kaluar ‘’Global Woman’’ rikthehet në Tiranë me një konferencë frymëzuese dhe mjaft motivuese me personalitete nga e gjithë bota.

Konferenca Globale e Biznesit të Grave në Tiranë është një model i ri i fuqizimit të grave në sipërmarrje në një shkallë globale tashmë edhe në  Shqipëri! Në 2 Shtator, Drejtoresha e Përgjithshme e  “Global Woman”, Mirela Sula, do të hapë Klubin Global të Grave në Tiranë. Në njëzet e tetë vitet e fundit, Shqipëria ka kaluar në shndërrime të mëdha. Kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri me qasje të hapur ka sjellë ndryshime të thella në jetën e grave dhe burrave. Janë arritur shumë qëllime mbi barazinë gjinore, por përsëri statistikat tregojnë se në Shqipëri besimi i grave për të filluar biznesin e tyre është nën mesataren evropiane dhe globale.

Themeluesja  e Global Woman, Mirela Sula beson se mbështetja e grave sipërmarrëse është thelbësore për rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe qëllimi është që të synojë mbështetjen e pronareve të bizneseve  në të gjithë Shqipërinë. Ka shumë gra të afta në Shqipëri që kanë guximin të hyjnë në botën e biznesit dhe të shndërrohen në sipërmarrëse dhe administratore të suksesshme. Sipas INSTAT, rreth 31 përqind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri administrohen nga gratë. Misioni Global Woman është të manifestojë një paradigmë të re të fuqizimit të grave të biznesit në vend dhe të mbështesë gratë.

Kjo konferencë është projektuar për të ndihmuar të gjitha gratë që të rriten, duke pasur vetëbesim më të madh në mënyrë që të fuqizojnë veten, që të jenë të lira në vendimmarrje dhe të jetojnë jetën që duan. Global Woman është në një mision për të inkurajuar të gjitha grate që të bashkohen së bashku dhe të luajnë një rol në ndërtimin dhe fuqizimin e vetes për të qenë lidere në komunitet, biznes dhe sipërmarrjet sociale. Tashmë është një brand që numëron 18 klube në Europë, SHBA dhe Afrikë. Themeluesja Mirela Sula  është vlerësuar në disa çmime ndërkombëtare për ndërtimin e një platformë që ka bërë bashkë njerëz nga anë e kënd globit.

“Empowering Women Conference” do të mbahet në Tiranë më datën 2 dhe 3 shtator. Moderatore në këtë konferencë do të jenë dy gazetaret Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiut të cilat në Shqipëri njihen si zërat që bëjnë thirrje gjithnjë për mbrojtjen e të drejtave të grave por edhe në motivimin e tyre për të ecur përpara në karrierë dhe biznes.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë sesi mund ta përdorni dhe vini në funksion të qëllimeve potencialin tuaj të brendshëm apo të njiheni e krijoni network me njerëzit e duhur , kjo është një konferencë që nuk duhet humbur./Blitz.al/

Komento
Shperndaje