Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Granit Xhaka me letër të hapur: Do t’i tregoj Zvicrës që nuk jemi bukëshkelur

Granit Xhaka me letër të hapur: Do t’i tregoj Zvicrës që nuk jemi bukëshkelur
August 30
13:33 2016

Në një letër të hapur, Granit Xhaka ka shpjeguar arsyen se pse vendosi të vazhdojë të luajë për Zvicrën, vendim që nuk u mirëprit nga tifozeria shqiptare. Ai shpjegon se FFK dhe FIFA nuk kanë një marrëveshje të qartë për kalimin e lojtarëve nga Zvicra te Kosova, si dhe vendimi i FIFA-s nuk e lejon atë të ndërrojë Kombëtaren.

Në vijim të letrës, ai i referohet edhe tifozerisë shqiptare. Granit Xhaka e cilëson si shenjë respekti prezencën e tij në vazhdim në Kombëtaren e Zvicrës, një shenjë respekti të popullit kosovar ndaj shtetit zviceran.

Xhaka kërkon që kritikët ta shohin vendimin e tij nga një tjetër këndvështrim, teksa u kërkon tifozëve që shajnë se nuk i dinë të gjitha, ndaj kërkon që për lëtë vendim që nuk e ka marrë vetëm të respektohet, pasi për të ka qenë vendimi më i vështirë i jetës deri tani.

Letra e Granit Xhakës

Me këtë letër dua të njoftoj të gjithë opinionin publik mbarëshqiptar se karrierën time në vazhdim do ta vazhdoj edhe në të ardhmen për Zvicrën. Gjithashtu dua të sqaroj me këtë letër gjithë lexuesit se si kam ardhur deri në këtë vendimarrje.

Mundësitë sipas anës ligjore:
Sipas një njoftimi zyrtar që FIFA ka shpërndarë, na njofton se kush ka luajtur në Kampionatin Europian 2016 nuk ka më të drejtë të luajë për një kombëtare tjetër.

Federata e Futbollit të Kosovës dhe FIFA nuk kanë një marrëveshje të qartë për kalimin e lojtarëve nga Zvicra te Kosova.

FIFA thotë qartë se kush ka luajtur në EURO 2016 nuk ka më të drejtë të ndërrojë ekipin përfaqësues.

Kosova është pranuar në FIFA disa javë para se të fillonte Kampionati Europian dhe që atëherë ne duhej të ishim informuar, sepse ne këtë informacion si lojtarë nuk e kishim. Të tjerë drejtues e dinin dhe duhej të na kishin informonin.

Për këtë shkak tani është e pamundur të ndërrojmë kombëtaren dhe  ju garantoj se si FIFA ashtu edhe FFK nuk më kanë informuar për anën ligjore dhe rruga se si duhej të veprohej. FFK duhej të kishte kërkuar sqarim nga FIFA për këtë pikë menjëherë pasi u pranua në FIFA dhe UEFA.

Unë si Granit jam interesuar dhe kam angazhuar stafin tim që të punojë në këtë drejtim, nëse është e mundur të luaj me Kosovën apo jo. Nuk e kam bërë publike sepse kam dëshiruar më parë të informohem, pastaj të deklarohem për një vendim të tillë. Kam punuar me muaj të tërë për një gjë të tillë.

Disponoj gjithë dokumentet që datojnë me fillimin e qershorit që bashkëpunëtorët e mi të autorizuar nga unë kanë bërë gjithçka që të bëhej realitet një gjë e tillë.

Nuk janë të vërteta ato që thonë disa drejtues të federatës dhe një pjesë e medias.

Graniti nuk është nga ata që bën publike gjithçka, por punon për gjithçka.

Kërkesa ime dhe angazhimi im ka qenë  gjithmonë të bëheshin  gjitha procedurat e duhura për të bërë të mundur që unë të luaja për Kosovën.

Nga unë si Granit

Nga ana ime dua të them edhe disa fjalë për tifozerinë shqiptare.
Vendimi për të luajtur edhe në të ardhmen me Zvicrën nuk është vendim kundër Kosovës, përkundrazi është një vendim pro Kosovës dhe njerëzve të vendit tim.
Në Zvicër e më gjerë punojnë dhe jetojnë me mijëra shqiptarë, ku  Zvicra dhe populli zviceran kanë bërë shumë për bashkatdhetarët tanë që të jetojnë e të punojnë të barabartë.
Prezenca ime në vazhdim me Zvicrën tregon respektin dhe falënderimin që populli ynë i bën shtetit zviceran dhe popullit të tij, për mundësitë dhe mikpritjen që na kanë dhënë.
Megjithëse ëndrra ime ka qenë dhe është të luaja një ditë për vendin tim, unë sakrifikoj këtë ëndërr të motshme për t’i kthyer respektin popullit të Zvicrës me moslargimin tim në këtë moment kur dhe Kosova u pranua në FIFA. Gjithçka duhet parë tashmë nga anët pozitive që i vijnë bashkatdhetarëve të mi nga kjo.
Unë si Granit Xhaka do t’i tregoj popullit zviceran se shqiptarët nuk janë bukëshkelur.

Ata neve na dhanë gjithçka atëherë kur vendin tonë askush nuk e përkrahte. Ata e pritën popullit tim krahëhapur, pa paragjykime, nuk na trajtuan si të huaj në shtëpinë e tyre, ata hapën shtëpitë e tyre, dhanë gjithçka çfarë kishin, ndaj ne duhet t’u themi se u jemi mirënjohës e nuk jemi tradhtarë, se nuk e duam mikun për interesa të momentit.

Pse more kritikë nuk e shikoni të gjithë këtë histori nga një këndvështrim tjetër?

Duke luajtur unë me Zvicrën shuhet për mua një ëndërr, por kur mendoj se mbi 300.000 mijë shqiptarë në Zvicër do përfaqësohen me prezencën time në Kombëtaren Zvicerane bëhem krenar, sepse do jem një ambasador i mirë për çdo shqiptar që jeton e punon në Zvicër.

Çdo shqiptar do ndihet krenar, me kokën lart dhe i barabartë para popullit zviceran.

Ne duhet të respektojmë ata që na ndihmuan në kohëra të vështira.
Populli shqiptar të mirën e kthen me të mira, këtë kam mësuar nga vendi im. Kam mësuar që edhe ta dua vendin tim dhe këtë e bëj kudo e ngado.

Gjithmonë do mundohem të jem një ambasador i mirë për çdo emigrant shqiptar, do të jem një shembull i mirë për njerëzit e vendit tim.

Kudo ku jam edhe do të jem, do të tregoj me kokën lart e krenar që jam shqiptar dhe që e dua vendin tim.
Ëndrra ime ishte ajo që të gjithë e dinë, por kjo ëndërr është bërë realitet, sepse vëllai im më përfaqëson denjësisht mua dhe gjithë familjen Xhaka me prezencën e tij në Kombëtaren kuqezi mbarëshqiptare. Vëllai im luan me himnin dhe me flamurin kuq e zi, për të cilin luftuan edhe sakrifikuan jetën me mijëra shqiptarë ndër shekuj.

Taulant Xhaka luan me atë kombëtare ku valëvitet flamuri për të cilin Adem Jashari  dha jetën.

Disa fjalë për ju tifozë që shani!

Unë jam i ri dhe tifoz i mirë si ju për vendin tim dhe më besoni që nëse do ishte vetëm vendimi im, unë do isha pa më të voglin dyshim aty ku ju më doni, ma besoni këtë.

Këto ditë jam ndier shumë keq sepse jam përballur me sharje nga ju me të pa drejtë. Ju që shani nuk i dini të gjitha. Ju e dini shumë mirë se si ju do Graniti ju. Më keni lënduar, por ama 100% me të padrejtë. Ju nuk e dini se sa shumë kam punuar unë për atë gjë që ju donit, Por pse t’i bëja publike? Unë kam punuar deri në realizimin e asaj që ju doni.

Ju që shani a e dini që familja Xhaka ka bërë shumë për kombin shqiptar?

Një pyetje për gjithë ju?

Për çfarë flamuri luan Taulant Xhaka?

Jua them unë, Taulant Xhaka, vëllai im edhe biri i Ragipit, luan për flamurin e Adem Jasharit, luan për flamurin p♪r të cilin me mijëra shqiptare kanë dhënë jetën. Xhaka këndon himnin dhe flamurin që bën krenarë 10 milionë shqiptarë. Askush nuk e dha jetën me e tradhtu flamurin kuqezi, por dha jetën me e mbrojt atë.

Juve që thoni mos të vij në Kosovë, ju them se do vij sa herë të mundem edhe me flamurin kuqezi në zemër. Taulant Xhaka luan për Shqipërinë dhe do jetë gjithmonë aty.

Ju shani se s’i dini të gjitha, por mendoni që Xhaka ka në emrin ALBANIA e kjo më bën krenar.
Mendojeni këtë para se të shani, tifozë. Ka kush e ngre dhe nderon flamurin shqiptarë nga Xhakajt.

Ky ishte vendimi më i mirë i mundshëm , për të mirën e gjithë bashkatdhetarëve në Zvicër, duke ditur që FIFA kishte dhënë përgjigje negative. Prandaj Graniti vendimin s’e ka marrë i vetëm, por në bashkëpunim dhe konsultim me një masë të gjerë.

Ka qenë një ndër vendimet më të vështira të jetës time, edhe pse nga ana ligjore një gjë e tillë nuk linte hapësirë.

Kosovës i uroj me zemër suksese dhe ju premtoj që do jem gjithmonë pranë saj. Taulanti me shqiponjën në çdo betejë deri sa të luajë futboll.

Graniti do jetë një tifoz i përjetshëm kuqezi dhe do t’ju nderoj aty ku jam.

Me respekt,

Granit XHAKA

 

/Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje