Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Google mendon për Shqipërinë, tashmë 360 gradë në shërbimin “Street View”. Harito: 18 muaj negociata

Google mendon për Shqipërinë, tashmë 360 gradë në shërbimin “Street View”. Harito: 18 muaj negociata
April 27
11:37 2016

Një lajm i mirë ka mbërritur për Shqipërinë, pikat turistike dhe rrugët e së cilës do të eksplorohen nga makinat e gjigandit “Google”. Në njoftimin e tij, Google bëri me dije se do të fillojë fotografimin e rrugëve të Shqipërisë me qëllim përmirësimin e shërbimit “Pamje të rrugëve”, të hartave të Google.

Shërbimi i pamjes virtuale është i disponueshëm në 76 shtete të ndryshme të botës dhe u mundëson përdoruesve që nëpërmjet kompjuterit ose telefonit celular, të bëjnë një eksplorim virtual të akseve rrugore përmes fotografive panoramike.

“Kemi dëgjuar nga shumë prej përdoruesve tanë në Shqipëri se mezi presin ta përdorin shërbimin ‘Pamje të rrugëve’. Prandaj, sot jemi shumë të lumtur që ju njoftojmë për nisjen e udhëtimit si dhe për zbulimin e rrugëve dhe pikave më të bukura të Shqipërisë, për përdoruesit tanë anembanë botës. Kompanitë dhe përdoruesit shqiptarë do të përfitojnë gjithashtu nga të mirat e këtij shërbimi”, deklaroi Antony Mcloughlin, menaxher i shërbimit “Pamje të Rrugëve” pranë Google.

Shërbimi do të nisë fillimisht në Tiranë për të vazhduar më pas dhe në qytete të tjera. Për shkak të transmetimit të imazheve nga zona të populluara të Shqipërisë, të dhënat personale dhe privatësia janë të ndjeshme. Për këtë arsye, Google është shprehur i gatshëm për zbatimin e legjislacionit shqiptar për privatësinë.

Ndërkaq, në një prononcim për mediat gjatë ditës së sotme, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, tha se ky është një lajm i mirë pas 18 muajsh negociata dhe i shërben promovimit të turizmit. Ajo paralajmëroi një marrëveshje të re me Google.

Komento
Etiketimet
Shperndaje