Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjykata e Lartë: Liri për kryebashkiakun Rroshi, akuzohet për fshehje të pasurisë

Gjykata e Lartë: Liri për kryebashkiakun Rroshi, akuzohet për fshehje të pasurisë
October 12
14:35 2016

Nga Anduena Llabani

Në një seancë e cila ka zgjatur 45 minuta, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të lërë të lirë, kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i vënë nën akuzë për fshehje të pasurisë.

Nga sot, Rroshi nuk do të qëndrojë më në arrest shtëpie, por do të ketë detyrimin ligjor të paraqitet pranë prokurorisë një herë në muaj.

Me vendimin e sotëm, Rroshit do t’i duhet që të hënën e parë të çdo muaji të paraqitet në prokurorinë e Tiranës. Kjo do të thotë që Elvis Rroshi do të ushtrojë funksionin e tij si kryebashkiak në zyrën e tij.

Më gjithë pretendimet e prokurorisë se Elvis Rroshi duhet të qëndrojë në masën “arrest shtëpie” me argumentin se një masë tjetër mund të ndikonte në manipulimin apo prishjen e provave, vendimi i Gjykatës së Lartë ishte ai për lirimin e tij. Edhe kur prokuroria pretendoi se kjo masë do të sillte edhe largimin e tij dhe shmangien nga hetimi, gjykata nuk e mori parasysh.

Elvis Rroshi u përfaqësua nga avokati i tij ligjor, Theodhori Sallaku, i cili jashtë salle deklaroi se prokuroria nuk ka prova të argumentuara për të mbajtur nën arrest klientin e tij.

Kryebashkiaku i Kavajës ndodhet prej 4 muajsh në arrest shtëpie. Por duket se vendimi i sotëm nuk do të pushojë betejën ligjore të tij me drejtësinë. Një dosje në emër të tij pritet të vijë nga Italia, pas një kërkese që prokuroria e përgjithshme ka nisur muaj më parë. Përmes letërporosisë, autoritetet italiane pritet të sjellin fakte të tjera kundër Elvis Roshit. Ndaj tij pretendohet se janë ngritur në shtetin fqinj akuza për trafik droge dhe prostitucioni. Ai është zyrtari i parë i akuzuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për dekriminalizimin./Blitz.al/

 

Shperndaje