Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjeorgjia konfirmon: Truri i sulmeve në Stamboll, spiun i inteligjencës gjeorgjiane

Gjeorgjia konfirmon: Truri i sulmeve në Stamboll, spiun i inteligjencës gjeorgjiane
July 05
11:45 2016

Gjeorgjia ka akuzuar ish-presidentin Mikhail Saakashvili se ka mbështetur terroristin e dyshuar, përgjegjës të sulmeve që u shënuan vetëm pak ditë më parë në Stamboll. Mbrëmjen e 28 qershorit, shpërthimet vetëvrasëse tronditën aeroportin ndërkombëtar të Stambollit “Ataturk”, duke shkaktuar 42 viktima dhe më shumë se 200 të plagosur.

Mediat turke, të cilat kanë cituar burime të zyrës së prokurorit, shkruajnë se aktet terroriste u kurdisën nga Akhmed Chatayev, një shtetas rus i shpallur në kërkim për vepra të lidhura me terrorizmin, por që kishte arritur të arratisej në Europë duke shmangur kështu ekstradimin në Rusi.

“Ky terrorist famëkeq ishte agjent i ish-presidentit Saakashvill dhe financohej nga ai. Ne disponojmë prova të rëndësishme të siguruara nga disa organe përkatëse. Një hetim do të nisë lidhur me këtë skandal dhe pritet të jetë mjaft interesante të dëgjohet se çfarë ka për të thënë ish-presidenti lidhur me këto akuza”, – është shprehur politikani gjeorgjian Sozar Subari.

Mësohet se terroristi ka arritur të sigurojë azil politik në Austri, duke pretenduar se kishte humbur njërin krah si pasojë e torturave ndaj tij. Ai u arrestua në Ukrainë nën akuzën e posedimit të armëve, por për shkak të mungesës së provave u lirua. Në 2011-n, ai u arrestua në kufirin bullgaro-turk. Fillimisht, gjykata bullgare vendosi për ekstradimin e tij në Rusi, vendim që u shfuqizua nga një gjykatë më e lartë.

Në janar, Komiteti Kombëtar Rus i Antiterrorizmit paralajmëroi se Akhmed Chatayev ishte nën komandën e një njësie të veçantë të DAESH, i ngarkuar me përgatitjen e akteve terroriste në Rusi dhe Europë. Javën e kaluar, Ministria e Brendshme ruse deklaroi se truri i sulmeve të Stambollit jetonte në Gjeorgji, ku i ishte dhënë shtetësia përpara se të nisej drejt Sirisë në 2015-n.

Etiketimet
Shperndaje