Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gëzuar 7-marsin… apo duhet të themi ngushëllime?!

Gëzuar 7-marsin… apo duhet të themi ngushëllime?!
March 07
17:02 2018

 

Sot, në të katër anët e vendit festohet 7 marsi, dita kur përkujtohet hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887.

Sigurisht, ashtu siç kemi parë edhe vitet e kaluara, edhe këtë vit do të shohim urime të përzemërta për arsimtarët, buqeta me lule, tek-tuk edhe ndonjë zarf me (minimumi) 50 mijë lekë të vjetra, madje nuk do të mungojnë as dhurata të majme materiale.

Nëse kjo ditë do të shihej si një ditë kur do të ngrihej zëri fort për problemet që has arsimi, por sidomos shkollat, e jo si një festë ndoshta shkolla do të ishte në shërbim të komunitetit e mandej, edhe shoqërisë.

Nëse 7 marsi nuk do të ishte ditë feste por ditë reflektimi nxënësit shqiptarë do të shkonin me dëshirë, e theksoj, me DëSHIRë, në shkollë.

Që sistemi arsimor ka probleme, kjo nuk do mend, por besoj dhe i qëndroj fort idesë që sistemi arsimor shqiptar i duhet një reformacion nga themelet.

Ndonëse reklamohet nga qeveria e trumpetohet nga ministria si një sistem i adaptuar nga sistemet e huaja, evropiane apo amerikane, në të vërtetë ia kemi dalë të krijojmë një sistem mutant, duke mos marrë asnjë të mirë nga secili sistem arsimor që përmenda më lart.

Metodat mekanike të mësimdhënies nuk çojnë kurrkund.

Mësimi përmendësh apo testimi i njohurive me testime memorie nuk çojnë kurrkund.

Trajtimi i mësuesve apo drejtuesve si qenie të mbinatyrshme, që kanë gjithmonë të drejtë dhe që mund të vendosin çfarëdo e për këdo nuk çon kurrkund.

Përgjithësimi i nxënësve nuk çon kurrkund.

Mungesa e psikologëve (atyre që e bëjnë me të vërtetë punën) nuk kursen para, por përkundrazi, ka kosto që i bien nesër në kurriz shoqërisë.

Prania e mësuesve të pakualifikuar (por që paguhen më pak), as kjo nuk kursen buxhet.

Kam qenë pjesë e një sistemi arsimor ku nxënësit ishin viktima të dhunës psikologjike të vazhdueshme nga arsimtarët. Dikush me notën, dikush me thërritjen e prindërit (që është gjëja më e shpifur) apo deri në përjashtime. Nga ana tjetër, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veçse mësojmë edhe peshkun, edhe lepurin, edhe papagallin të hipin në pemë… që është e pamundur.

…dhe në fund, kemi nxënës që nuk duan të ikin në shkollë sepse nuk ka qoftë edhe një gjë të vetme që e bën atë atraktive për ta. Por përkundrazi, kemi çdo ditë e më shumë të rinj që nuk frekuentojnë shkollën, por çdo ambjent tjetër. E për këtë nuk u vë faj as unë e askush tjetër.

Arsimi nuk është nga ato profesione që mund të bëhen “hajt se do marr rrogën!”. Arsimi është baza e një shoqërie, e nëse kjo shoqëri ngec që në thelb, që në themele, që në ngjizje nuk ka gjë që e rregullon.

Sa herë dëgjoj urime për 7 marsin më vjen në mendje ajo mësuese apo ai mësues që sillej si gardian burgu. E për fat të keq nuk po bëj fare ironi.

Jo interaktivitet, jo liri, jo pavarësi, jo integritet, aspak individualitet!

E keni pyetur ndonjëherë veten pse kemi kaq individë të frustruar seksualisht në shoqëri?!

Më kujtohet një episod i “Harry Potter: The Order of Phoenix”, ku drejtoresha ndan dy të rinj që po puthen… dhe këtë episod mund ta shohësh edhe në oborrat e shkollave tona. Nuk e di nëse ka ndonjë rregull të shkruar apo moral që është e ndaluar që një djalë apo një vajzë e kanë të ndaluar të qëndrojnë pranë, të afrohen, të krijojnë lidhje, të puthen, të dalin së bashku me seksin e kundërt? është e ndaluar kjo nëse je adoleshent? E dinë këta që ndalimi kategorikisht i kësaj sjell vetëm probleme dhe aspak ndonjë dobi? [Pyes veten, mësuesit fëmijët i kanë bërë me Frymën e Shenjtë?]

Shkolla është institucion, e vërtetë, por para të qenurit instiuticion zyrtar është individual, komunitar, moral dhe ka një funksion shumë, tepër të rëndësishëm: shoqërizimin apo marrjen e rregullave bazike për funksionimin e shoqërisë. E me keqardhje them se shkollat shqiptare nuk bëjnë as njërën e as tjetrën… madje, nuk bëjnë asgjë për të cilën paguhen, janë krijuar dhe ekzistojnë!

Padyshim, ka mësues që e bëjnë punën e tyre me shumë dashuri për të vegjëlit apo të rinjtë, mënyrat e tyre janë përqafuar e pranuar nga nxënësit dhe janë këta, ai rang arsmitarësh që e bëjnë shkollën tërheqëse dhe atraktive. E këta meritojnë gjithë mbështetjen, dashurinë dhe mirënjohjen! Pjesa e tjetër bën mirë të zmbrapset!

*E shkruar me shumë dashuri nga dikush që 98% të lëndëve i ka pasur nota maksimale, por asnjëra nuk i hyri në punë!

 

Andi Vrapi/Blitz.al/

Komento
Shperndaje