Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Gazetarja “shpërthen” ndaj Gaz Pajës: “E turpshme që një aktor të komentojë ç’bëjnë gazetarët!”

Gazetarja “shpërthen” ndaj Gaz Pajës: “E turpshme që një aktor të komentojë ç’bëjnë gazetarët!”
February 18
11:26 2017

Pas incidentit të aktorit Gazmend Paja me gazetaren e kulturës Alma Mile, para shfaqjes “Çfarë pa kryeshërbëtorja” që do të luhet në teatrin “Kujtim Spahivogli”, kanë reaguar disa kolegë në mbrojtje të gazetares.

Një prej tyre është gazetarja e njohur e kulturës, Anisa Ymeri, e cila tashmë punon në TVSH.

Ymeri shkruan se është e turpshme që një aktor të komentojë se ç’bëjnë gazetarët në mëngjes apo darkë.

“Nëse gazetarët e kulturës shporren apo jo, nuk e vendos një aktor që ndihet i mikluar ta quajnë “profesor” për shkak të ndonjë roli që bën në teatër. 
Unë s’kam qenë në atë konferencë në teatrin “Kujtim Spahivogli”, ku ka pasur një komunikim jo normal artistë – gazetarë, por kam qenë në të tjera ku disa biçim artistësh nuk e kanë për gjë të sillen sikur janë në han”,- shkruan Ymeri.

Më tej ajo shton:
“Me këtë nuk dua të them që aktori i indinjuar është një biçim artisti, përkundrazi!
Me gjithë respektin në distancë që kam për aktorin G. Paja, ndiej të reagoj e të them se gazetarja Alma Mile nuk është gazetaruce por GAZETARE, nga ato që ka punuar aq fort për të promovuar kulturën e këtij vendi dhe të thotë mendimin e saj.
Dhe nëse është ndjerë e fyer, mirë ka bërë që ka shkruar. 
Sa për komentet se ç’bëjnë gazetarët në mëngjes apo darkë, thjesht më duket e turpshme të komentojë një aktor. Madje është më shumë se e turpshme, është e neveritshme”,- përfundon statusi i Ymerit.

Në statusin e publikuar nga Ymeri, një ndër reagimet ka ardhur nga regjisori Saimir Kumbaro:

“Anisa, je nxehur si shumë. Alma është gazetare me “brumë”. E kap dhe zbërthen problemin. Nuk di çfarë ka ndodhur, por dikush e ka provokuar keq Gazin. Mes gazetarëve dhe aktorëve duhet mirëkuptim. Aktorët dhe regjisorët duhet të jenë në ortakëri me gazetarët. Të dyja palët ndihmojnë në emancipimin e shoqërisë”.

Ndërkohë që Ymeri i shkruan:

“Epo, asnjë gazetar nuk i ka thënë asnjë aktori apo regjisori deri tani publikisht aktoruc” apo “regjisoruc”, edhe kur e meritojnë. Gazi jo vetëm që e ka thënë, por u ka thënë të gjithë gazetarëve të kulturës “gazetarucë”, ndaj sinqerisht është shumë e pështirë ta dëgjosh prej tij, edhe sikur të jetë provokuar rëndë”.

Dje në intervistën e dhënë për “Pasdite në Top Channel”, aktori Gazmend Paja tha: “Është për të ardhur keq pasi arti në botë është edukim, por kjo te ne nuk mund të bëhet me ca portale palaço dhe me ca gazetaruce pise që dezinformojnë publikun. Ne ua bëjmë shumë të lehtë punën gazetarëve, por nëse ato kanë bërë ç’kanë bërë gjithë natën apo gjithë ditën dhe vijnë të papërgatitura, le të shporren”,- tha ndër të tjera Paja. /Blitz.al/

 

 

Share