Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Fundi i arratisë” vë në pranga dy të arratisur nga burgu grek, po trafikonin 3.3 kg kanabis

August 15
10:46 2016

Nga Anduena Llabani

Dy shqiptarë janë vënë në prangat e policisë, pas arratisjes nga burgu. Kjo është aventura e dy shqiptarëve Ludovik Kola dhe Enkeledi Myrte, nga fshatrat e Korçës, ndaj të cilëve, veç akuzës së arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit, do të rëndojë edhe ajo e trafikut të drogës.

“Fundi i arratisë” ka bërë që dy të arratisurit e burgut të Menemenit në Greqi, të dënuar për “Vrasje” dhe “Trafik të lëndëve narkotike”, të përfundojnë në pranga sërish. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Korçës, u sigurua informacion në rrugë operative se dy shtetas shqiptarë Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte, të cilët vuanin dënimin në burgun e Menemenit në Greqi, ishin arratisur prej këtij institucioni më 17 maj 2016 dhe kishte të dhëna se ata kishin kaluar kufirin ilegalisht e ndodheshin në Shqipëri.

Ditën e diel, në aksin rrugor Vishocicë-Braçanj, të rrethit Devoll, policia ndaloi automjetin në të cilin udhëtonin Lodovik Kola dhe Enkeledi Myrte. Në automjet u gjet dhe një sasi prej 3.3 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa, e gatshme për t’u trafikuar. Veç lëndës narkotike, policia sekuestroi armë dhe municione luftarake, të cilat u gjetën të fshehura në automjetin tip “Renault” dhe për të cilat dyshohet se këta shtetas po i transportonin drejt kufirit të gjelbër, me qëllim trafikimin për në shtetin grek.

Për këtë çështje do të hetojë Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit” të kryera në bashkëpunim, të mbetur në tentativë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 2 pako të mbështjella me letër natriban, me një peshë prej 3,3 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa;
-3 armë zjarri automatike model 56;
-1 armë zjarri tip pistoletë, së bashku me një krehër me (gjashtë) fishekë;
-242 copë fishekë (model 56) dhe 44 copë fishekë (model 54);
-3 krehra metalikë bosh, kalibri 7.62 mm;
-automjeti tip “Renault” me targa AA122EH;
-një sasi kartëmonedhash prej 800 eurosh si edhe 6 aparate celulari.

Etiketimet
Shperndaje