Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ftesa e Metës për diskutime mbi reformën, reagojnë BE dhe SHBA

Ftesa e Metës për diskutime mbi reformën, reagojnë BE dhe SHBA
July 17
18:43 2016

Në deklaratën e tij të sotme, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ftoi përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve në vend që t’i bashkohen takimit në përpjekje për të gjetur një kompromis për reformën në drejtësi.

Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri, mësohet se i është përgjigjur pozitivisht ftesës, transmeton Blitz.al. Ambasadorja Romana Vlahutin informoi kryeparlamentarin se do i bashkohet diskutimeve të së hënës.

“Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare. Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.”, citohet në deklaratën e Zyrës së Bashkimit Europian.

I njëjti reagim ka ardhur edhe nga ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, e cila bën me dije se Donald Lu e pranon ftesën për diskutime, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid.

“Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS”, deklaron ambasada amerikane, përcjell Blitz.al