Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fruthi dhe rubeola, i domosdoshëm rivaksinimi i të lindurve në vitet ’80-’90

Fruthi dhe rubeola, i domosdoshëm rivaksinimi i të lindurve në vitet ’80-’90
April 29
19:52 2016

Për shkak të rrezikut të lartë të fruthit dhe rubeolës te të rriturit, specialistë të Shëndetit Publik kanë apeluar për rivaksinimin e të lindurve në vitet ’80-’90. Ata shprehen se sistemi i ruajtjes së vaksinës nuk ka funksionuar siç duhet përgjatë këtij 10-vjeçari, ndaj vaksina është ripërsëritur me fushata përgjatë viteve 2000-2004.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino, shprehet se “të gjithë të lindurit në këto vite duhet të rivaksinohen. Në apelin drejtuar atyre që do të ndjekin nga afër Kombëtaren në Francë, ajo këshillon që qytetarët të shikojnë kartelat e vaksinimit të tyre përpara se të nisen, për shkak se këto dy sëmundje në rast se prekin individë në moshë madhore shkaktojnë pasoja të rënda shëndetësore.

“Fruthi është sëmundje infektive e rrezikshme. Të rriturit kalojnë forma më të rënda të fruthit që shkakton prapambetje mendore dhe vdekje. Rubeola është një sëmundje që dhe ajo mund të shkaktojë infeksione të trurit. Për femrat e moshës riprodhuese nëse je e infektuar me rubeolë mund të lindësh fëmijë me probleme kongjenitale”,- është shprehur ajo pas rastit të shtetasit Denis Bastari, punonjës i FSHF-së.

Ky i fundit, i lindur në vitin 1985 dhe i vaksinuar, është prekur nga virusi i fruthit pas një udhëtimi në Francë me rastin e kampionatit europian. Ai tregon se për shkak të vaksinës joefektive ka pasur temperaturë të lartë dhe ethe, të shkaktuara nga virusi i fruthit.

Komento
Etiketimet
Shperndaje