Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Freedom House për Shqipërinë: Kthim në 2004-n, përkeqësim i lirisë së medias

Freedom House për Shqipërinë: Kthim në 2004-n, përkeqësim i lirisë së medias
April 12
10:45 2016

Në raportin për vendet në tranzicion, “Freedom House” ka arritur në përfundimin se Ballkani që dikur ishte një rajon që ngjallte mjaft shpresa për ndërmarrje reformash, ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilemë mbetet jetësimi i këtyre reformave dhe mbajtja gjallë e shpresës për integrim në Bashkimin Europian.

Në raportin ku merren në shqyrtim 29 vendet e Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, temë e përgjithshme është stanjacioni dhe kjo për shkak të prirjeve autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale.

Në raportin për Shqipërinë, “Freedom House” shprehet se kapitulli për vendin tonë nuk është ende përfundimtar, ndaj dhe nuk është publikuar apo ndarë me median.

Në sistemin e vlerësimit, ku me 1 vlerësohet niveli më i lartë i demokracisë dhe me 7 më i ulëti, Shqipëria vijon ende të cilësohet si një qeveri tranzicioni ose regjim hibrid. Vendi ynë vijon me vlerësimin 4.4, njësoj si vitin e kaluar.

“Në Shqipëri sheh ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë rajonin”, – thotë drejtori i projektit “Vendet në tranzicion”, Nate Schenkkan.

Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensiv mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin apo ekonominë informale.

“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për pothuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”, – thotë ndër të tjera drejtori i projektit “Vendet në tranzicion”.

Më tej, ai thekson se e rëndësishme është nëse këto reforma po zbatohen ose jo dhe nëse zbatohen, sa efektive do jenë. Të gjitha këto do të përcaktojnë nëse vlerësimi për Shqipërinë do përmirësohet.