Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(FOTO) Projekti për sheshin “Skënderbej”, Rama për Bashën: E la heroin si polic trafiku

(FOTO) Projekti për sheshin “Skënderbej”, Rama për Bashën: E la heroin si polic trafiku
April 05
12:02 2016

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë sot në prezantimin e projektit për sheshin “Skënderbej”. Teksa kujtoi kohën kur vetë ishte kryebashkiaku i Tiranës, ai bëri një prezantim për projektin e asaj kohe, që e transformon sheshin e Tiranës në një mozaik të ndërtuar me gurë. Lidhur me konceptimin për sheshin “Skënderbej”, Rama tha se prioritet do të jenë këmbësorët, të cilëve do t’u ofrohet më shumë hapësirë sesa automjeteve.

“Padyshim që A-ja për të pasur një hapësirë të tillë është që ky shesh nuk mund të jetë i makinave, por duhet të jetë i njerëzve që zgjedhin për të shkuar aty. Ky shesh duhet të jetë një pikëtakim me historinë, me njerëzit dhe refleksin e ambicies së këtij komuniteti për të ardhmen. Ai shesh u sabotua, sot është mundësia për ta çuar në nivel tjetër. Sheshi është një akt politik i mirëfilltë për të vendosur në gurë një deklaratë të hapur lufte ndaj makinave. Le të mërziten sa të duan njerëzit nëpër semaforë dhe mund ta them me plot gojën sepse makina ime respekton çdo semafor, kështu që e di shumë mirë se ç’do të thotë të bllokohesh në trafik. Jam bllokuar edhe unë në trafik. Nuk mund të jesh më i privilegjuar dhe të kërkosh një të drejtë që duhet ta kenë më parë ata që janë në këmbë”, – u shpreh kryeministri Edi Rama.

Ai ironizoi ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, për ndryshimet që bëri në projektin e sheshit, duke thënë se e la heroin kombëtar si polic trafiku në shesh.

“Skënderbeu mbi kalë mes barit duket si polici për t’u dhënë drejtim makinave, e bënë Skënderbeun polic trafiku të një kartodromi kur makinat xhirojnë në mes të sheshit. Mendoj që kam fituar aftësi t’i justifikoj çdo të metë vendit e Shqipërisë përballë cinizmit të të huajve, por s’kam gjetur asnjë justifikim kur kam dëgjuar pyetjen nga gjithë njerëzit që vizitojnë Tiranën: “Ç’është kjo gjëja këtu?” Pyetje që të lë pa frymë, ç’t’i thuash, e lanë Skënderbeun mes barit atje vetëm sikur është supervizori i Policisë Bashkiake. Do bëhet edhe Skënderbeu pjesë normale dhe do prehet i qetë më në fund. Ajo që po ndodh me sheshin e ka rrotulluar aty ku fle heroin tonë kombëtar”, – tha kreu i Qeverisë.

Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sheshi “Skënderbej” parashikohet të shndërrohet në një hapësirë për qytetarët. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.

“Të bëjmë një sakrificë për lëvizjet në shesh, ashtu si bëjmë në shtëpitë tona, kur rregullojmë dhomat, duhet të ngushtohemi e të alternojmë mënyrën si lëvizim”,- tha Veliaj.

Ky projekt do realizohet në 12 muaj dhe do ketë shtrirje sipërfaqësore, e cila do përfshijë edhe një pjesë të Unazës së Vogël. Është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes së projektit në 11 lulishte të vogla të ndryshme, ku në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, me qëllim që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj për përfundimin e gjithë projektit.

Lidhur me gjelbërimin, ky projekt parashikohet të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbra do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh.

Këndvështrimi ekologjik është një tjetër risi e projektit, i cili do shfrytëzojë ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Edhe ndriçimi i godinave publike do bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.