Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Foto) Deputetët e PD-së shkojnë në pistën e Ishmit: Jetojmë në Kolumbi!

September 17
20:26 2016

...

Nga Anduena Llabani

Deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike denoncuan sot në terren pistën e avionëve të kartelit të drogës, të ngritur në mes të Shqipërisë, në fshatin Ishëm. Kjo pistë avionësh 1.8 kilometra e gjatë për transport ajror të drogës, e ngritur me dijeninë e qeverisë dhe me mbështetjen e saj, është prova e radhës që tregon lidhjen e fortë të kartelit të drogës me Edi Ramën, provë që flet për lehtësitë që kanë trafikantët për të ndërtuar edhe pistë avionësh pa i shqetësuar njeri.

Para se të hysh në Gjirin e Lalzit, një nga plazhet më të frekuentuara në Shqipëri, merr kodrën për të shkuar në fshatin Ishëm, që është një nga më të mëdhenjtë e kësaj njësie administrative. Por një rrugë makine gjysmë e shtruar me asfalt dhe vetëm 3 kilometra nga fshati të çon direkt në pistën e avionit. Rruga përdoret nga banorët e fshatit për të çuar bagëtinë në kullotë. Pista e gjatë 1.8 kilometra ka në fillim  të saj një strukturë betoni të ndërtuar nga trafikantët për të ndezur zjarr sinjalizues për pilotin. Vetëm 100 metra nga fillimi i pistës ndodhet avioni i rrëzuar, i ruajtur nga një furgon policie dhe dy punonjës që kanë rrethuar zonën me shirit të verdhë. Një bari zone largohet me shpejtësi nga frika dhe nuk pranon të flasë. Bashkë me deputetët, Edi Paloka, Arben Ristani, Alban Zeneli, Keltis Kruja dhe Flamur Noka, ishin një grup gazetarësh të ftuar nga Partia Demokratike për të denoncuar shkallën ekstremisht të lartë të mbulimit të vendit nga droga. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, Flamur Noka, dha këtë intervistë për gazetarët:

 

Siç e shihni, pas nesh është një avion i rënë në tentativë për të bërë trafikun e drogës. 2.5 km, maksimumi 3 km larg aeroportit “Nënë Tereza”, karteli i drogës ka ndërtuar aeroportin e quajtur “Saje Qorri” . Qeveria e kartelit që pretendon dhe kontrollon gjithë territorin na demonstron sot këtu që qenka ndërtuar një pistë, sipas tyre jashtë dijenisë së tyre. Në fakt, kjo qeveri e kontrollon gjithë territorin e vendit dhe ky avion, kjo pistë e ndërtuar këtu, demonstron qartësisht që gjithçka është bërë me miratimin, nën kontrollin dhe nën mbikëqyrjen e kësaj qeverie.

Pista të tilla të kartelit të drogës kanë ndërtuar dhe kanë mundur të ndërtojnë vetëm në Kolumbi dhe në Venezuelë. Shqipëria është vendi i tretë në botë ku kartelet e drogës, përpos mbjelljes dhe trafikut të drogave, e kanë të gjithë komoditetin dhe mundësinë për të ndërtuar edhe pista.

Ky është realiteti që shikojmë ne, ndryshe nga realiteti virtual që qeveria e kartelit përpiqet t’u paraqesë shqiptarëve.

Pyetje: Kishit dijeni më parë për këtë pistë apo edhe për pista të tjera?

Flamur Noka: Ju besoj, por edhe mbarë opinioni publik është në dijeni për pista të tjera, që ka pasur pistë në Gjadër, pistë në Vlorë, pistë në Gjirokastër. Ja ku është edhe pista e Ishmit. Shqipëria ka shumë pista. Ka një pistë për transportin e qytetarëve, ndërsa ka shumë pista që i disponon karteli për transportin e drogës.

Pyetje: A keni besim se do të dalin emrat bashkëpunëtorë të pilotit italian?

Flamur Noka: Unë sigurisht që besoj shumë. Pavarësisht se ministri i Brendshëm, siç jeni edhe ju në dijeni, dekonspiroi operacionin, dekonspiroi hetimin, bëri çmos që të paralajmërojë trafikantët. Kjo është një shenjë që tregon se qeveria e kartelit kontrollon gjithë trafikun vetë dhe u tentua të shpëtohen ortakët e ministrit dhe të kryeministrit.

Pyetje: Ai ruhet tashmë nga policia. Fakti që ai është i lirë ju bën të dyshoni se jeta e tij është në rrezik edhe tani që ka pranuar të bashkëpunojë?

Flamur Noka: Të ruhesh nga policia në ditët e sotme do të thotë të jesh në mëshirën e krimit. Më vjen keq që e them këtë gjë sepse kam konsideratë maksimale edhe si ish-ministër, si nënkryetar Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe si deputet, për Policinë e Shtetit. Por kupola tradhton, kupola dekonspiron, kupola pret në besë policët. Kështu që në këtë vend gjithçka mund të ndodhë.

Pyetje: Z.Noka, dëshmia….

Flamur Noka: Dëshmia… Ajo që thashë dje në konferencë shtypi ishte dëshmia më e qartë. Kur ministri tradhton operacionet policore, dekonspiron hetimin. Siç ndodhi më herët me operacionin e të ashtuquajturit të Durrësit, ku u arrestua një grup trafikantësh dhe që e dekonspiroi ministri. Më pas u tha se “nuk ua kam bërë unë, ua kanë bërë shërbimet e huaja”. Ky është rasti i dytë. Pra, a ka nevojë që të ketë dëshmi më të madhe dhe më të qartë se ministri vetë është i përfshirë kokë e këmbë, edhe kryeministri? Pra, karteli ka kokën e vet dhe, për fat të keq, koka e kartelit përkon me kokën e qeverisë.

Pyetje: Z. Noka, a nuk mendoni se po ndiqni të njëjtën taktikë si Tahiri, i cili dërgon videot teksa korr kanabisin, ndërsa ju denonconi pasi kanë rënë?

Flamur Noka: Siç jeni në dijeni nuk ka asnjë lidhje dhe ngjashmëri. Ne kemi ardhur të shqetësuar së bashku me kolegët. Edhe atë ditë unë e kam denoncuar i shqetësuar, për të mos thënë se jemi të traumatizuar për situatën që po shohim. Siç mbani mend ju, ministri i Brendshëm bënte selfie duke qeshur, a thua se kishte dalë në një guidë turistike dhe jo sikur kishte përpara gjëmën e këtij vendi, që është droga.

Pyetje: Z. Noka, ju ishit i pari që e denoncuat, a mund të thoni se nga e morët informacionin?

Flamur Noka: Sigurisht, isha i pari që e denoncova sepse oficerët e ndershëm dhe policët e ndershëm të këtij shteti nuk besojnë më te qeveria e kartelit.

Pyetje: Domethënë ju e keni marrë vesh nga policia?

Flamur Noka: Kaq kisha. Faleminderit!

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje