Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Flet Aqif Rakipi për herë të parë pas aksidentit: “E vetmja keqardhje është për jetën e humbur”

Flet Aqif Rakipi për herë të parë pas aksidentit: “E vetmja keqardhje është për jetën e humbur”
August 13
12:06 2017

Ende po flitet e komentohet shumë rreth aksidentit të bujshëm që ndodhi ditën e djeshme, kur Aqif Rakipi, deputeti i PDIU-së për qarkun e Elbasanit, la të vdekur një shtetas në autostradën Tiranë-Durrës.

Ndërkohë që hetimet e para e kanë nxjerrë të pafajshëm deputetin, PD-ja ka vazhduar me akuzat duke thënë se ai diçka fshihte në makinë dhe qeveria po e mbron.

Në një prononcim për “Tirana Post”, Rakipi ka deklaruar se ai ndihet keq vetëm për viktimën, por për sa u përket akuzave as nuk do t’ia dijë.

“E vetmja keqardhje dhe dhimbje është për jetën e humbur. Nuk shqetësohem për akuzat e ulëta politike, aq më tepër kur bëhet fjalë për një jetë të humbur që dikush kujtohet të bëjë politikë edhe në fatkeqësi. Nuk dua fare t’i komentoj tani këto, jam i hidhëruar për atë që ndodhi. Nuk kam qenë duke ecur shumë shpejt, makina është dëmtuar se jam përpjekur të manovroj. Viktima ka kaluar në fraksion sekonde dhe nuk kam asgjë për të sqaruar sepse nuk kam bërë asnjë përpjekje të përdor pozicionin tim si deputet. Policia dhe prokuroria kanë aty provat dhe ata vendosin se si ka qenë ngjarja. As nuk dua të ndikoj në këtë proces, ata të japin vendimin e tyre. E vetmja keqardhje është për jetën e humbur dhe nuk ia uroj askujt t’i ndodhë një aksident i tillë. Janë disa gjëra në jetë që nuk varen prej vullnetit tonë”,- ka thënë deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, për “Tirana Post”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje