Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Escobari i Ballkanit”: Hetimet ndaj meje, me qëllim dëmtimin e Edi Ramës

“Escobari i Ballkanit”: Hetimet ndaj meje, me qëllim dëmtimin e Edi Ramës
October 30
14:04 2016

Klement Balili, shqiptari i cilësuar si “Escobari i Ballkanit”, ka vendosur të thyejë heshtjen duke folur për akuzat që rëndojnë mbi të për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Në një intervistë për median greke “Etnos”, ai i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të qëllimta, që synojnë dëmtimin  e figurës së kryeministrit Edi Rama.

“E gjithë historia, siç mësova nga avokati im Alexis Kougias, është e sajuar dhe nuk ka prova kundër meje, por vetëm një skenar i ndërtuar në mënyrë arbitrare nga policia duke u bazuar në një kontakt timin me anë të telefonit për një çështje krejtësisht pa lidhje me një nga personat që aktualisht është i përfshirë në këtë rast. Unë e dija se ai person kishte sjellje të jashtëligjshme. Jam i sigurt se disa anëtarë të policisë e ndërtuan këtë hetim ndaj meje së bashku me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për shkak se nipi im, i cili është avokat, është anëtar i rëndësishëm i partisë në pushtet në Shqipëri dhe për këtë arsye ata krijuan këtë rast për ta shfrytëzuar atë politikisht dhe për të dëmtuar kryeministrin Edi Rama”,- shkruan Balili në letrën e publikuar nga mediat greke.

Më tej, ai shprehet se autoritetet greke nuk u kanë dërguar asnjë lloj informacioni autoriteteve shqiptare, që këto më pas të vendosin për ekzekutimin ose jo të urdhrit të dhënë nga Greqia.

Klement Balili hodhi poshtë akuzat se merret me trafikimin e lëndëve narkotike, duke i cilësuar ato si shpifje. Ish-drejtori i Transporteve në Tiranë është shpallur në kërkim pas një hetimi të kryer nga DEA amerikane, nga policia greke dhe disa polici të vendeve të tjera europiane që e cilësuan si kreun e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje