Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Erdogan vlerëson Shqipërinë: “Vendi model për paqen fetare. Zgjedhjet janë fillimi i një epoke të re”

Erdogan vlerëson Shqipërinë: “Vendi model për paqen fetare. Zgjedhjet janë fillimi i një epoke të re”
June 19
20:43 2017

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla. Ai ka vlerësuar vendin tonë si një shembull e model për paqen fetare që mbizotëron. Gjithashtu ka dhënë dhe mendimin e tij mbi zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën në Shqipëri.

“Shqipëria është vend unik, me shumëllojshmëri fetare e kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimanëve dhe të krishterëve. Kjo bashkëjetesë është një pasuri dhe lutem shpesh që të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por ka edhe të tjerë që përpiqen ta përçajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur”, – thotë Erdogan.

“Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, kryeministrit Rama në përpjekjet e tij. Po ashtu edhe presidentit të zgjedhur.  Më shqetëson debati mes tyre. Personalisht jam për një solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj se shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre”.

Por ai është ndalur gjithashtu edhe te marrëdhëniet e bashkëpunimit të Turqisë me Shqipërinë.

“Shqipëria e fortë në termat e turizmit. Ka shumë turq që vijnë të pushojnë këtu. Investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, rreth 3 miliardë euro investime. Nuk e di sa investime keni marrë nga BE, por investimet tona nuk do të ndalen. Në Shqipëri ne kemi një rreze të gjerë investimesh dhe pak ditë më parë disa biznesmenë biseduan me mua për perspektivën e investimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve”,- thekson Erdogan.

Ai ndalet edhe te rreziku i organizatave me mbështetjen e Fejtullah Gylen në Shqipëri.

“Fejtullahistët janë kthyer në rrezik për Turqinë dhe unë do të jem shumë i qartë në këtë drejtim. Shqipëria është një vend me popullsi të vogël dhe ata mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh”.

Intervista ka përfunduar sigurisht me një përshëndetje për të gjithë shqiptarët.

“Përshëndes shqiptarët personalisht. Në emër të popullit turk  ju them qëndroni bashkë, gjithnjë të bashkuar. Jemi të vendosur të japim mbështetjen tonë sepse mendojmë se Shqipëria është një vend i rëndësishëm”. /Blitz.al/

Shperndaje