Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Elisa Spiropali – Blushit, pas deklaratës për largimin nga partia: Je kazani i ambicies tënde

Elisa Spiropali – Blushit, pas deklaratës për largimin nga partia: Je kazani i ambicies tënde
September 30
17:45 2016

Përmes një letre të hapur, postuar pak orë më parë në llogarinë e saj në Facebook, Elisa Spiropali i është kundërvënë deputetit socialist Ben Blushi, i cili u shpreh së fundmi se ka vendosur të largohet përfundimisht nga partia.

Teksa e akuzon si një njeri që nuk e do Shqipërinë, që shtiret, që nuk ka bërë asgjë për vendin dhe që do të bëjë vetëm sherr, ajo i drejtohet Blushit teksa e cilëson si kazanin e ambicies së tij që nuk përputhet me aftësinë e tij.

“Kam vite që s’të dëgjoj asnjë ide origjinale dhe më ka ardhur sinqerisht keq kur bëre thirrje të shkruhen emrat e kolegëve nëpër kazanë duke u shitur si origjinal. Sepse unë e mbaj mend mirë kur protestoja kundër firmës tënde si ministër i Nanos, që emri yt u shkrua nëpër kazanë sepse ishe ti që firmose vendimin famëkeq të asaj qeverie për të ndërtuar katër furra gjigante për djegien e plehrave të kamorres italiane.

Dhe kurajë të madhe ke sot kur ajo kompani që i dhe firmën kërkon 400 milionë euro nga shteti shqiptar pse nuk solli dot plehrat në Shqipëri, zotrote kap flamurin e ekologjistit për të dalë nga partia, ku more çfarë munde dhe kurrë nuk u mor vesh çfarë dhe”,- shkruan Spiropali ndër të tjera.

Në vijim të shkrimit, Spiropali akuzon deputetin për firmën që i dha kompanisë, e cila sot kërkon 400 milionë euro nga shteti shqiptar se pse nuk solli dot plehrat në Shqipëri. Lidhur me vendimin e tij për t’u larguar, Elisa Spiropali i uron riciklim të mbarë.

Në një letër drejtuar “socialistëve të ricikluar”, siç shprehet Blushi, ai bën të ditur se ka vendosur të dalë nga partia, për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët.

“Rilindja duhet të hyjë në histori si të gjithë ulokët ideologjikë përmes një kazani me rrota dhe jo me biçikletën e socializmit të ricikluar, siç e quajnë me përkëdheli të gjithë ata që punojnë natë e ditë për të ndarë në burim Delirin me Salirin. Por nëse Rilindja tund kanabisin si lulen e flirtit të saj me të ardhmen, ajo nuk mund të fajësohet plotësisht për dashurinë për mbetjet. Këtë sentiment e ka të huazuar, sepse Rilindja, në përgjithësi, nuk e njeh dashurinë.

Kur vjen puna te mbetjet, ajo ka marrë me qira qëndrimin e Partisë Demokratike, siç merren në një dasmë taksitë me qira. Në dasmën e mbetjeve, dhëndri është i PD-së, nusja është e Rilindjes, ndërsa paja është e industrisë së riciklimit. Për ta mbyllur këtë kronikë, duhet të shtoj se dasma u bë në një kazan, kurse taksinë e pajtoi LSI. Por Rilindja nuk është vetëm në mbrojtjen e kauzës së kazanëve. Partia Demokratike po bën gjithçka për ta sabotuar referendumin për mbetjet. Natyrisht duke e mbështetur ajo e rrëzon referendumin”, – citohet ndër të tjera në letrën e Blushit, i cili shprehet se po të ishte riciklues, do ta paguante PD-në të mbante pikërisht qëndrimin që po mban. /Blitz.al/


Etiketimet
Shperndaje