Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ekzekutimi në Tiranë, vrasësi u përplas me gazetarin. Në pranga një person, prishi provat

Ekzekutimi në Tiranë, vrasësi u përplas me gazetarin. Në pranga një person, prishi provat
May 03
00:08 2016

Gazetari Spartak Koka ka qenë gazetari që u përfol për praninë e tij në lokalin “De Niro”, lokali ku u ekzekutua shtetasi Elton Çiça. I ftuar në emisionin “Opinion”, ai ka bërë të ditur kronologjinë e ngjarjes. Gazetari Koka ka shpjeguar fillimisht se ndodhej në atë lokal pas caktimit të takimit me oficerin e policisë dhe nuk i njihte dy personat e tjerë që iu bashkuan atyre, viktimën dhe personin tjetër të identifikuar si “doktori”.

“Krisma erdhi nga e majta ime dhe unë menjëherë tentova të çohem direkt nga krahu i djathtë për t’u larguar. Ndërsa u ngrita sa nuk u përplasa me vrasësin. Ishte diçka aksidentale. Menjëherë më pas u nisa drejt banjos, për të pritur që të qetësohej situata. Aty pashë një vajzë rreth të 30-ve, të cilën nuk e konstatova kur dola. Në vendngjarje pashë ishte oficeri i policisë dhe “doktori”, të cilët u përpoqën t’i jepnin ndihmën e parë Çiços.”

Gazetari shpjegoi se për shkak të tronditjes dhe panikut, mban mend vetëm kapelën e vrasësit me një shirit të bardhë përpara. Ai ka treguar se viktima ishte duke folur në telefon në momentin kur u ekzekutua.

Sipas gazetarit Flamur Vezaj dhe Fabian Zhillës, ekspert i sigurisë kombëtare, vrasësi i armatosur me dy pistoleta, mund të jetë një ish-polic ose një ish-ushtarak. Duke bërë një antropologji të mënyrës si vrasësi ka lëvizur, Zhilla tha se me shumë mundësi ekzekutuesi mund të jetë edhe një njohës i mirë i arteve marciale.

I ftuar në emision, zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muça, ka shpjeguar kronologjinë e kësaj ngjarje që e ka zanafillën në grabitjen e prindërve të viktimës dhe përçudnimin e tyre. Ai bëri të ditur se lidhur me ngjarjen e djeshme janë shoqëruar 29 persona dhe është arrestuar një shtetas që akuzohet për prishje të qëllimshme të provave në vendngjarje. Lidhur me viktimës, Muça bëri të ditur se ishte gati për tu firmosur urdhër-arresti për Elton Çiçon, i dyshuar për implikimin në vrasjen e Robert Ramës.

Sa i takon hetimit të nisur për identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit, gazetari i kronikës Artan Hoxha tha se identifikimi i tij do jetë mjaft i vështirë për shkak të mbulimit të fytyrës me kapele, ndaj sipas tij, nevojitet që policia të bëjë publike pamjet me qëllim që qytetarët të japin kontributin e tyre në identifikimin e tij.

Komento
Etiketimet
Shperndaje