Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ekstradimi i “Ballistit”, reagon FSHF: “Të ndërhyjnë autoritetet! Mos e çoni Ismail Morinën në Serbi!”

Ekstradimi i “Ballistit”, reagon FSHF: “Të ndërhyjnë autoritetet! Mos e çoni Ismail Morinën në Serbi!”
July 29
09:32 2017

Ismail  Morina, i njohur  si “Ballisti” pas ngritjes së dronit në Beograd në tetorin e vitit 2015, vazhdon të jetë pas hekurave në Kroaci, aty ku qëndron i ndaluar prej afro një muaji. Nga informacionet e fundit që janë bërë publike ditën e djeshme  Morina ka dalë ditën e martë para  gjykatës së Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi, pasi sikundër dihet prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ndalimi dhe ekstradimi nga shteti serb lidhur me ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ngritja e një droni me një baner ku shkruhej “Autochtonus” solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në një status në Facebook lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij atje.

“FSHF e angazhuar për zgjidhjen e çështjes “Morina”.

FSHF reagon publikisht dhe u bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur interesimin e saj të drejtpërdrejtë për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
FSHF është plotësisht e angazhuar t’i shkojë deri në fund një çështjeje të tillë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe hapësirat e saj institucionale dhe diplomatike për të parë edhe një herë këtë rast. FSHF është duke u marrë intensivisht me këtë problem, duke siguruar vetë Ismail Morinën, familjen, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen në mënyrë që diçka e tillë të mos realizohet dhe ku hapësira ligjore ankimuese në Apel të mundësojë edhe abrogimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkaq, Federata ka nisur menjëherë kontaktet edhe me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar çdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë”,- shkruhet në deklaratën e FSHF-së në faqen zyrtare në Facebook./Blitz.al/

Komento
Shperndaje