Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive/Foto) Telefonata nga qelitë e burgjeve, ja cilët janë prokurorët që u shantazhuan dhe u kërcënuan me jetë

September 27
15:15 2016

 

Nga Anduena Llabani

Janë me dhjetëra rastet kur gjyqtarë e prokurorë, të thjeshtë dhe të krimeve të rënda, janë kërcënuar me jetë.

Kërcënime që vijnë nga telefonata anonime, nga qelitë e paraburgimeve apo edhe ato të bëra “live” në salla gjyqesh.

Rasti i fundit i kërcënimit me jetë të kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe familjes së tij duket se do të ketë fatin e shumë rasteve të tjera paraardhëse.

“Nuk kam asnjë koment për këtë ngjarje, jam këtu për një vizitë zyrtare”,- ky është reagimi më i fundit i tij publik në lidhje me atë çfarë u fol dhe përfol kaq shumë në media se jeta e tij dhe e familjes së tij është vënë në rrezik dhe se tashmë ata janë marrë në mbrojtje.

Por të vërtetën se kush e kërcënoi kreun e akuzës me jetë e di tashmë jo vetëm ai, por edhe organet e specializuara që janë vënë në dijeni për orën dhe ditën e saktë të telefonatës që alarmoi jetën e prokurorit dhe familjes së tij.

Një gjë është e sigurt, telefonata kërcënuese është bërë nga qelitë e paraburgimit, të një burgu të sigurisë së lartë, prej një personazhi të njohur të botës së krimit.

Për arsye hetimi dhe etike, emrin e tij nuk mund ta bëjmë publik, por ajo që mund të themi është se është i dënuar për trafiqe dhe vrasje.

Emri i tij është i përfolur edhe për shumë akuza të tjera për të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar.

Kush janë njerëzit e drejtësisë që u kërcënuan nga qelitë e paraburgimit të sigurisë së lartë?

Njëri prej tyre është ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda, Guriali Brahimllari, sot gjyqtar në Apel për Krimet e Rënda. Pas kërcënimit, djali i tij u mor në mbrojtje për një kohë të gjatë nga forcat e RESI-t, strukturë e cila merret me mbrojtjen dhe ruajtjen e dëshmitarëve të drejtësisë.

Idriz Merkurti, gjyqtari i cili gjykoi dhe dënoi të pandehurin Dritan Dajti, u kërcënua nga i pandehuri, ndërsa vajza e tij u mor në mbrojtje të përkohshme.

Një vit pas atentatit mafioz ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një tjetër gjyqtar në Tiranë u kërcënua me jetë. Më 9 shtator, Ardit Mustafaj, gjyqtar pranë Krimeve të Rënda, qëndroi në mbrojtje për një kohë të gjatë bashkë me familjen e tij. Ai u kërcënua nëpërmjet një letre ku paralajmërohej të bënte kujdes dhe të dorëhiqej nga gjykimi i çështjes së Bandës së Durrësit.

Autorësia e kërcënimeve me jetë ndaj gjyqtarit Mustafaj nuk është zbuluar ende sot.

Eugen Beci, prokuror i Krimeve të Rënda, i cili drejtoi për disa muaj hetimet në lidhje me planin e vrasjes së deputetëve, Tom Doshi dhe Mehill Fufi. Beci u zhvendos në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Elbasan dhe prej asaj kohe mbahet në ruajtje të posaçme.

Prill 2010, një tjetër prokuror i Krimeve të Rënda do të merrte kërcënimin me jetë. Anton Martini kërcënohet dhe shantazhohet me anë të një letre nga i paraburgosuri Nikoll Syziu, i gjykuar për vrasjen e një punonjësi të policisë në vitin 2000, i paraburgosur në burgun 313-të në pritje të dënimit.

Nëntor 2013, Endrit Bimi. prokuror, kërcënohet me jetë në sallën e gjyqit nga familjarët e Aldo Hoxhës, i akuzuar për grabitje me pasojë vdekjen e një gruaje. Menjëherë pas seancës, ai u mor në ruajtje së bashku me familjen e tij nga forcat e BRISKU-t. /Blitz.al/

 

Shperndaje