Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Trafiku i drogës në Kurbin. Kodet e përdorura dhe bisedat e përgjuara

(Ekskluzive) Trafiku i drogës në Kurbin. Kodet e përdorura dhe bisedat e përgjuara
November 24
15:11 2016

Nga Anduena Llabani

7 personat e prangosur dy ditë më parë në Kurbin, mes të cilëve edhe një punonjës policie, të dyshuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, kanë përdorur gjuhë të koduar në komunikimet telefonike.

Ata janë përpjekur t’u ruhen përgjimeve, duke përdorur fraza të ndryshme, teksa u referoheshin aksioneve antikanabis të Policisë së Shtetit në plantacionet e kanabisit. Kanë qenë përgjimet disamujore të prokurorisë, të administruara në dosjen hetimore, që kanë “zbërthyer” nënkuptimet e fjalive të koduara. Sipas burimeve, analizimi i përgjimeve ka zbuluar edhe punonjësin e policisë të përfshirë në veprimtarinë e grupit kriminal, Zan Kasmi, i cili mbante të informuar anëtarët e tjerë të grupit nëse zhvilloheshin operacione antikanabis në atë zonë.

KODET

BLITZ.AL ka siguruar një nga këto biseda të përgjuara, pjesë e dosjes së prokurorisë, ku të dyshuarit flasin me njëri-tjetrin në lidhje me lëvizjet e policisë.

Ndonëse u referoheshin operacioneve antikanabis, në bisedë ata thoshin: “Nesër pasdite kanë për t’ardhë një copë herë me pi kafe”.

Në të njëjtën bisedë, ndërsa i pari shqetësohet për këtë fakt, tjetri e qetëson duke i thënë se nuk duhet të bëheshin merak, pasi nuk do të ndodhte asgjë. Por bashkëbiseduesi i parë sërish këmbëngul, duke i thënë se të nesërmen “nuk bohemi për kafe, se nuk kena mundsi me ik shpejt”.

Sipas prokurorisë, përmes kësaj fjalie ai kërkonte të gjendej mundësia e shtyrjes së operacionit policor. Sipas hetimit, një tjetër frazë e koduar ka qenë edhe: “Do të vijnë dasmorët, kini kujdes krushqit”. Sipas burimeve, në këtë rast me “dasmorë” nënkuptoheshin forcat e policisë, ndërsa “krushqit” ishin personat që punonin në plantacione.

PERGJIMI

Mori ai miku … nesër, pasnesër mbasdite kan për t’ardhë një copë herë me pi kafe. (Do kalonin policë për operacion antikanabis.)

– Si? Po a ka maru pun ai?

– S’di gja.

– A je tu e marr njiher n’telefon?

– Po e mar unë, por kur don me ardh trama, nesër?

– Po… nesër tha, jena për rrugë mjes, masi t’pimë kafe dikun tha..se kane punt e veta o burr..se kan për të shku me therr do kedha me i ven, edhe kur të kthejn kan për t’ardhe me pa ato tujet.

– Dmth nesër vijn aaaa?

– Për Zotin masdite tha…po pa merak o burr tha se ska pse me u ashtuna…!

  • Për siguri mere e thuj se nesër nuk bohemi për kafe, se nuk kena mundsi me ik shpejt. (Pra, të gjendej mundësia të shtyhej operacioni policor në zonën e tyre.)

OPERACIONI

Të arrestuarit e operacionit të finalizuar mbrëmjen e së hënës ishin Zan Kasmi, oficer policie dhe Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra. Ndërkaq  Sami Balloku e Aldo Xhaferri ishin arrestuar më herët në kushtet e flagrancës.

Sipas prokurorisë, në formën e një grupi të strukturuar me role të ndara, ata ishin përfshirë në kultivimin e kanabisit me qëllim trafikimin e tij jashtë vendit. Droga kultivohej në parcela në malësitë e Kurbinit apo në vende të mbyllura të përshtatura me ndriçim dhe llamba ngrohëse.

Referuar hetimit, organizator dyshohet të jetë Luftar Neli, i cili kishte marrë “garanci” se bimët e mbjella prej tij nuk do të cenoheshin nga forcat e Policisë së Komisariatit të Kurbinit.  /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje