Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Rrëzimi i avionit në Ishëm, në hetim 9 persona. Avokati: Piloti s’është bashkëpunëtor i drejtësisë

September 19
15:48 2016

avo

Nga Anduena Llabani

9 persona janë nën hetim nga prokuroria shqiptare në lidhje me rastin e rrëzimit të avionit me pilot Guido Andrea Guidi. Burime të sigurta pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se në këtë hetim janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj, italianë. Emrat e tyre janë përftuar pas dëshmisë që 69-vjeçari Guidi dha pak orë pas rrëzimit të avionit për llogari të hetimeve që nisën prokurorët e krimeve të rënda.

Edhe pse prokuroria shqiptare është treguar shumë e rezervuar në dhënien e informacioneve, pas shoqërimit të Guidit, ata vendosën që ta hetojnë në gjendje të lirë atë, për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ndërkohë, mediat italiane, të cilat u referohen burimeve të shërbimeve sekrete, thonë se rasti i Guidit,- shkruan “Corriere Della Sera”, – ka hapur edhe njëherë hetime mbi trafikun e drogës me avionë nga Shqipëria.

Gazeta italiane publikon faktin se Guidi ka nënshkruar një kontratë “20 mijë euro për të transportuar 200 kg marijuanë”. Nisur nga këto të dhëna, autoritetet italiane po verifikojnë për llogari të tyre informacionin e dhënë nga piloti Guidi pranë prokurorisë. Dyshohet se ky trafik drejtohej nga italianë dhe në Shqipëri, në zonën e Krujës, gjenden me qindra plantacione me Cannabis Sattiva, që tani është në fazën e mbledhjes.

Por çdo dyshim i ngritur deri tani nga prokuroria pritet të provohet edhe pas përgjigjeve që pritet të vijnë nga Italia, pasi prokuroria shqiptare i është drejtuar me letërporosi për të shkuarën e Guidit.

Avokati i tij ligjor ka deklaruar se mbeten në pritje të ngritjes së një akuzë nga ana e prokurorisë. Ai hedh poshtë dyshimet që bien mbi klientin e tij për lidhje me trafikun e drogës.

I kontaktuar nga Blitz.al, Aleksandër Ndrejaj pretendon se Guido Andrea Guidi ka bërë uljen të detyrueshme në Ishëm pasi avioni ka pësuar defekt dhe se në telefonin e tij janë gjetur vetëm numra të familjarëve dhe të afërmve të tij.

Ai ka mohuar gjithashtu edhe faktin se piloti italian ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Deri në këto momente nuk është përmendur fjala “bashkëpunim” me drejtësinë”,- ka pohuar avokati.

69-vjeçari italian është në dispozicion të hetimit për shkelje të hapësirës ajrore.

Shtetasi është ulur për një emergjencë që ka pësuar në avion, kaq. Nuk ka bërë ulje për pista, por në momentin kur ka pësuar defektin ka gjetur vendin për t’u ulur”.

Avokati nuk ka pranuar as të japë të dhëna se ku gjendet klienti i tij, duke e veshur me enigmë pozicionin e tij në këtë hetim. I pyetur se ku ndodhet piloti italian Giudi Andrea Guidi, avokati përgjigjet se nuk ka asnjë koment. Që prej ditës kur dha dëshminë e tij pranë grupit të prokurorëve, vendndodhja e tij mbahet ende një sekret hetimor. /Blitz.al/

Shperndaje