Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Masat e arrestit për 4 të arrestuarit nga Mossadi izraelit

(Ekskluzive) Masat e arrestit për 4 të arrestuarit nga Mossadi izraelit
November 07
19:14 2016

Nga Anduena Llabani

Arrestimi i katër shqiptarëve në Shkodër dy ditë më parë nga antiterrori është kryer pas dyshimeve të forta se ata po planifikonin veprime në prag të ndeshjes së 12 nëntorit mes Shqipërisë dhe Izraelit në Shkodër.

Burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës bëjnë me dije se në bazë të informacioneve të agjencive të huaja inteligjente izraelite u ra në gjurmët e katër shqiptarëve të  dyshuar për orientime ekstremiste dhe frymëzim nga ISIS. Frika e autoriteteve shqiptare dhe izraelite ishte se ata mund të planifikonin aksione në stadium apo rrethinat e tij. Mbi këto të dhëna, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhër-arrestet për katër shtetas, për të cilët gjykata vendosi të hënën paradite t’i lërë në arrest me burg.

Të dhënat konfidenciale të hetimit mbi veprimtarinë e këtyre katër shtetasve të arrestuar si të dyshuar për akte terroriste kanë bërë që agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror t’i drejtohen edhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kanë kërkuar të dhëna mbi personat që kanë blerë biletat për ndeshjen e së shtunës në “Loro Boriçi”. Mësohet se pak ditë më parë, në zyrat e federatës janë afruar edhe agjentë të huaj izraelitë, të cilët kanë kërkuar informacion mbi masat e sigurisë për zhvillimin e ndeshjes mes dy ekipeve.

Katër të arrestuarit gjithashtu dyshohet se mblidhnin fonde si dhe rekrutonin besimtarë myslimane për të luftuar në Siri dhe Irak. Ata kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tyre është bërë vetëm për shkak të bindjeve fetare. Ndërkohë, jashtë ambienteve të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë reaguar familjarët e të arrestuarve.

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg pa afat katër besimtarët myslimanë të arrestuar të premten për veprime me qëllime terroriste dhe “nxitje të urrejtjes fetare”. Mjeku Bekim Protopapa doli i pari para gjykatës, duke u lënë në burg pa afat. Pas tij e njëjta masë iu dha edhe berberit Ergys Faslia si dhe Medat Hasanit dhe Xhezair Fishtit./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje