Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi skandalin e radhës…

(Ekskluzive) Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi skandalin e radhës…
September 08
19:54 2016

Nga Anduena Llabani

Një tjetër skemë e përfitimit të jashtëligjshëm të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2010-2014 ka nisur të hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Organi i akuzës regjistroi kallëzimin penal të KLSH-së për një shumë prej 4 milionë eurosh që bankat e nivelit të dytë i kanë përfituar në mënyrë të paligjshme në blerjen e kartëmonedhave të dëmtuara. Ky hetim pritet të thërrasë për të dëshmuar ish-guvernatorin Ardian Fullani.

Pas kallëzimit të KLSH-së, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për mënyrën se si Banka e Shqipërisë ka bërë nxjerrjen nga tregu të kartëmonedhave të dëmtuara, në harkun kohor nga viti 2010 deri në vitin 2014. KLSH pretendon në një raport se bankat e nivelit të dytë ia kanë blerë qytetarëve kartëmonedhat me 80% të vlerës së tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë ia ka blerë bankave të nivelit të dytë me 100% të vlerës. Diferenca prej 20%, sipas KLSH-së, është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga bankat. Deri në shtator të vitit 2013, baza ligjore për këmbimin e kartëmonedhave të dëmtuara ka qenë vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, numër 29, datë 30.3.1998. Sipas këtij vendimi, bankat private do t’i grumbullonin kartëmonedhat e dëmtuara nga qytetarët me 80% të vlerës dhe do t’i dorëzonin ato në Bankën e Shqipërisë me po të njëjtën vlerë. KLSH ka zbuluar se për periudhën janar 2010-korrik 2014, përmes kësaj skeme janë këmbyer dhe nxjerrë nga tregu rreth 2.71 miliardë lekë kartëmonedha të dëmtuara. Sipas saj, kjo do të thotë se përfitimi i padrejtë për bankat ka qenë 542 milionë lekë ose rreth 4 milionë euro. Mësohet se prokuroria e ka regjistruar kallëzimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Burimet thonë se do të verifikohen veprimet e personave që kanë drejtuar Bankën e Shqipërisë në periudhën 2010-2014. Prokuroria pritet ta thërrasë ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullanin, për të dëshmuar, ndërsa ditën e hënë janë marrë në pyetje anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të bankës. Raporti do t’i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë, përkatësisht Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, bashkë me pretendimet e Bankës së Shqipërisë në lidhje me konkluzionet e forta të auditit. /Blitz.al/

 

Shperndaje