Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Klodeta Dibra: “Të kërcënuarit të mos fshihen, por të dalin me zë dhe figurë”

(Ekskluzive) Klodeta Dibra: “Të kërcënuarit të mos fshihen, por të dalin me zë dhe figurë”
April 18
20:07 2016

Që prej nisjes së garës për rektorin e ardhshëm të Universitetit të Tiranës, u vu re një jehonë e menjëhershme edhe mediatike. Sigurisht që rëndësia e këtij posti e justifikon në një farë mënyre të gjithë diskutimin e hapur publik. Nëse bëhet në mënyrat e duhura është edhe konstruktive për vetë garën. Por ajo çka u pa me kalimin e kohës është një ndërhyrje në këtë proces të disa prej figurave politike, akuza të shumta, shantazhe nga persona të inkriminuar, skema të përgatitura, si dhe një presion i jashtëzakonshëm që i bëhet publikut se votimet në Shqipëri, të të gjitha rasteve, kanë një skenar të njohur: rrëmujën para procesit të votimit dhe një atmosferë negative që krijohet pikërisht atëherë kur dita e votimit është shumë afër.

Kandidatë për rektorë  të Universitetit të Tiranës janë  Klodeta Dibra, aktualisht dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe Mynyr Koni, aktualisht dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Të dy këta pedagogë kanë shpalosur, pas zyrtarizimit të kandidaturave të tyre, platformat përkatëse duke zhvilluar mbledhje e takime të njëpasnjëshme me kolegë dhe studentë për t’u njohur më nga afër me kërkesat dhe problematikat e këtyre të fundit. Mirëpo duket se gara mori një fytyrë të politizuar në momentin kur ish-kryeministri Berisha deklaroi se Emiljano Shullazi, i cili është emër i njohur për publikun pasi ka qenë i përshirë disa herë në krime, ka shantazhuar kandidatin Koni që ky i fundit të largohet nga gara. Sipas Berishës, Shullazi e ka bërë këtë veprim me urdhër të kryeministrit Rama, të cilit i intereson fitorja e Klodeta Dibrës, e cila është edhe pjesë e Këshillit Bashkiak për Partinë Socialiste.

Nisur nga këto akuza, policia ka vepruar menjëherë për të zbardhur ngjarjen e çështjes “Shullazi”, ndërkohë që opinioni publik është ndarë në dy kampe: ata që besojnë se Shullazi ka shantazhuar Konin dhe ata që mendojnë se kjo është një akuzë boshe politike e ish-kryeministrit. Shqetësues mbetet fakti se me këtë ndërhyrje të politikës hiqet vëmendja nga gara e vërtetë që po ndodh, nga platformat dhe potencialet e dy kandidatëve për të qenë fitues. Ndaj, për të zbardhur disa prej të vërtetave, Blitz.al ka mundur të realizojë një komunikim direkt me kandidaten Klodeta Dibra, për të sqaruar me radhë të gjitha çështjet që po përfliten më së shumti në media.

  1. Çështja “Shullazi”

Pyetur nga Blitz.al, dekania Dibra ka rrëfyer se ajo personalisht nuk ka asnjë njohje, kontakt apo qëndrim për Emiljano Shullazin, madje si përfaqësuese e botës akademike ajo shpesh është ndier tejet e shqetësuar kur gazetarë apo opinioni publik mendon se kjo e fundit mund të ketë ndonjë kontakt me një personazh që është lakuar shpesh për krime të ndryshme. Sa i përket çështjes nëse kolegu i saj Koni apo rektori aktual Dhori Kule janë shantazhuar prej Emiljano Shullazit, Dibra rrëfen se nëse është e vërtetë, atëherë është një turp i madh por edhe nëse nuk është e vërtetë mbetet sërish turp. Madje, sipas saj, në rast se vërtetohet ky shantazh prej prokurorisë atëherë le të shtyhet data e zgjedhjeve apo çdo masë tjetër që mendohet e arsyeshme prej organeve kompetente. “Këtu ka nevojë për një hetim nga policia, sepse e gjithë kjo situatë ka shëmtuar figurën time, por edhe imazhin që duhej të kishte kjo garë, të cilën unë e konceptova garë mes akademikësh e do të kishte shtrëngim duarsh në fund të saj, sido të ishte rezultati…”, – ka thënë Klodeta Dibra.

2. Marrëdhëniet me kandidatin Mynyr Koni dhe rektorin aktual Dhori Kule

“Kam 8 vite që jam përfaqësuese e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ndaj sigurisht kam pasur kontakte pune dhe respekt profesional për kolegët e mi. Nuk kam pasur asnjë kundërshtim apo mospëlqim ndaj kandidaturës së kolegut Koni, por ajo çka ndodhi gjatë garës është që si ky i fundit, ashtu edhe Dhori Kule u bënë palë kundër meje dhe po  mundohen me çdo mënyrë të rrëzojnë kandidaturën time”, – është shprehur zonja Dibra për Blitz.al, ndërkohë që thekson se dy kolegët e saj jo vetëm që janë bërë palë, por janë kthyer në një makineri të industrializuar për të prodhuar vetëm gënjeshtra dhe dëme kundrejt figurës së saj, duke e keqinformuar publikun e duke përdorur  faktin se ajo është këshilltare në Këshillin Bashkiak për ta politizuar, ndërkohë që, sipas Dibrës, politika ndërhyri në favor të Mynyr Konit.

3. Ndërhyrja e ish-kryeministrit Berisha

“Kam vetëm një pyetje: Pse Mynyr Koni dhe Dhori Kule nuk dalin vetë të denoncojnë, me zë dhe figurë, shantazhet që u janë bërë? Pse shkon policia dhe u kërkon këtyre të fundit deklarata dhe nuk shkojnë këta në polici? Pse nuk kanë kurajë civile? Se pikërisht në këtë garë kuraja civile është shumë e rëndësishme. Pse trembet Koni për të mërkurën? Të dalë e të flasë sot, jo ta përdorë pas rezultateve këtë gjë”, – ka thënë Dibra, duke iu referuar faktit se nëse janë shantazhuar kolegët e saj, nuk është e nevojshme që kjo gjë të bëhet e ditur nga Berisha, përkundrazi reagimi i tyre duhet të jetë direkt e transparent me publikun.

4. “Distancimi” i vëmendjes nga fushata reale

Sipas Klodeta Dibrës, fushata dhe procesi i votimit duhej të kishin përfunduar me një sjellje qytetare, sidomos nga kandidatët. Por mbi të gjitha dukej të kishte një garë vërtet akademike që, sipas saj, nuk ndodhi. “Kam qenë gjithnjë e hapur për debate publike me kundërshtarin në garë, auditorë të mbushur me pyetje studentësh, dalje publike për të informuar publikun, por këto të gjitha kanë munguar nga Koni. Unë zhvilloj takime me nga 5-6 orë, duke diskutuar gjerësisht, ndërkohë që ky i fundit zhvillon takime gjysmorëshe, sepse e ka thjesht për të bërë një qokë të përgatitur më parë”,- ka vazhduar Klodeta Dibra.

5. Mundësia e dorëheqjes dhe pritshmëritë për ditën e votimit

Pyetjes së Blitz.al nëse e ka menduar dorëheqjen si pasojë e gjithë kësaj rrëmuje, Dibra i është përgjigjur: “Në asnjë mënyrë! Unë nuk jam frikacake, nuk kam qenë asnjëherë. Nuk dua dhe as nuk duhet të heq dorë për asnjë arsye. Studentët me duan, kolegët pedagogë gjithashtu. Ata besojnë te programi dhe ideja ime”. Ndërkohë që gara pritet të finalizohet më 20 prill, Dibra thotë: “Kam emocione, sigurisht, do të doja të mos ishte krijuar kjo atmosferë negative, e cila nuk është aspak e këndshme. Megjithatë, nëse nuk ka asnjë makinacion kundër, unë besoj te studentët dhe kolegët se do të dinë të kthejnë përgjigje për këtë situatë nëpërmjet votës dhe kjo sepse ata kanë çelësin më të rëndësishëm: dinë të vërtetën”. Me këtë fjali zonja Dibra shfaq optimizëm dhe qetësi për pritjen e rezultatit të 20 prillit.

 

Komento