Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

E konfirmon De Biasi: “Largohem në fund të eliminatoreve”

E konfirmon De Biasi: “Largohem në fund të eliminatoreve”
June 13
12:14 2017

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi, ka konfirmuar se do të largohet nga ekipi në fund të eliminatoreve të Botërorit Rusi 2018.

Këtë ai e ka bërë me dije në konferencën për shtyp pas rikthimit në Shqipëri dhe fitores ndaj Izraelit në Haifa.

Një deklaratë e fortë, por jo aq e papritur pasi ikja e De Biasit po diskutohej prej pak kohësh.

De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të skuadrës tonë në një kompeticion madhor, siç ishte ai i qershorit të vitit të kaluar në Europian.

“Më vjen keq që pas ndeshjes me Izraelin shumë do të donin të bënin gati funeralin tim”, – u shpreh De Biasi.

Kujtojmë që deri në fund të eliminatoreve janë edhe katër sfida të tjera. E para në “Elbasan Arena” më 2 shtator kundër Lihtenshtejnit, e dyta tri ditë më vonë kundër Maqedonisë në transfertë, për të udhëtuar më pas drejt Spanjës për t’u përballur me iberikët.

Në fund, si për rastësi, trajneri italian mbyll aventurën e tij në krye të kuqezinjve kundër vendlindjes së tij, më 9 tetor.

E ardhmja

“Unë nuk duhet të flas me askënd, aq më pak me mediat. Unë jam këtu prej 5 vite e gjysmë, e di që secili nga ju ka një ide se cila ka qenë sjellja e Xhani De Biazit dhe nuk kam pse jap shpjegime. Kur të marr ndonjë vendim, nëse do të marr, atëherë do të shpjegoj. Çfarë të shpjegoj sot, asgjë? Që flitet për lëvizje andej apo këndej, nuk është problemi im.”

Rinovimi

“Ka disa situata në jetë në të cilat dikush duhet të ndjejë rrotull besimin dhe konsideratën, të cilën pavarësisht 5 viteve e gjysmë, mendoj se ende nuk e kam nga dikush. Mendoj se nëse Federata dëshironte Xhani De Biazin, do ta bënte më parë, jo sot, se tani është vonë. Por unë prisja diçka ndryshe, nuk funksionon kështu. Ata që janë më të mirë, si Lëv, janë konfirmuar 4 vite më parë, unë nuk prisja të më konfirmonin dy vite para, por prisja një diskutim ndryshe nga federata.”

Për raportin me Dukën

“Me presidentin kam një raport të mirë, mendoj se është personi me të cilin jam ndjerë më mirë nga pikëpamja e punës, një person i këndshëm me të cilën mund të kalosh kohën me gëzim. E di që unë kam një aspekt profesional dhe një njerëzor që ecin përkrah. Shpesh pikëpamja njerëzore më ka bërë të bëj disa gabime të tmerrshme që nuk dua t’i ribëj.Sa i përket krizës, nuk ka. E vetmja gjë që më vjen keq është që shumë mes jush ishin gati të bënin funeralin tim pas Izraelit. Më vjen keq që fituam dhe nuk u realizua. Mendoj se trajneri duhet vlerësuar për gjëra të ndryshme, përveçse humbjes së 5 ndeshjeve radhazi, ku një është miqësore me Luksemburgun.

Shqipëria ka humbur në kualifikuese ndaj Luksemburgut, në kualifikuese. Unë për aq sa do të jem këtu do të jap 110%, nuk mund të vihet në diskutim përkushtimi nga pikëpamja e punës, nga përfshirja në kauzën shqiptare.”

Për arsyet e vendimit

“Kur u përgjigja një ditë para ndeshjes, mendova me vete se historia me Shqipërinë mund të përfundonte sot këtu, nëse humbnim në Izrael, sepse ndoshta mendohej nga dikush që ndeshjet e fundit ishte më mirë që të bëheshin me trajner tjetër. Unë e kam vendosur në mendjen time që në fund të kualifikueseve të iki, është një proces natyral, ka fillim dhe fund. Është momenti të kërkoj sfida të reja. Por mjafton që Shqipëria të mos bëjë revolucion dhe makina është në rregull.”

Negociatat me Italinë

“Para së gjithash, ishim në një moment në të cilin po mbyllej një projekt, në të cilin Shqipëria arriti të shkonte në Europian dhe mund të ndodhte që pas Europianit ta mbyllja. Pavarësisht kontratës, mund të thoja që ndalem këtu, bëmë diçka të bukur bashkë.

Por u kontaktova në situata të ndryshme, edhe nga Federata të tjera veç Italisë, i dëgjova, bëra vlerësimet dhe qëndrova, vendosa të bëja gjëra të tjera për arsye të tjera. Vazhdova të bëja punën si gjithmonë, se fatkeqësisht ndodh që gjatë karrierës, nëse bën mirë, dikush kërkon të të marrë nga vendi. Unë i rezistova, edhe pse kishte oferta milionere për të ikur nga këtu. Nga kjo pikëpamje jam i pasulmueshëm.”

Për ofertat e tjera

“Nuk di asgjë, ju keni shkruar, meqë nuk më do askush këtu. Problemi nuk është ky, unë kam thënë se kam qëndruar këtu, se mendoja se mund të çoja përpara një projekt të nisur 5 vite e gjysmë më parë. Pjesa tjetër janë kontorno, nuk kam pse shpjegoj gjëra që nuk më përkasin. Nëse komentoj lajme të tilla…”.

Nëse ka një ofertë

“Ka kaluar. Ka kohë të ndryshme. Unë nëse do të ikja sot, nuk ka asnjë skuadër që më do. Në rregull kështu?”.

Pse nuk ka mësuar më shumë shqip?

“Është e vërtetë, se mund të qëndroja më shumë këtu. Por do shpenzonim shumë dhe ishim më mirë po të rrija në shtëpi. Bëmë më pak udhëtime e më pak shpenzime”.

Çfarë mendon për faktin se është edhe shtetas shqiptar

“Jam krenar dhe e kuptoj çfarë thoni. Jam krenar që nga momenti kur presidenti më dha shtetësinë. E para se kam qejf të bëhem pjesë e kombit ku jetoj, se më pëlqen të ndjehem i integruar dhe jap më shumë. Kur nuk ndjehem i mirëpritur e bëj më keq punën”.

Nëse në Izrael ishte fitore kundër intrigave

“Ju jetoni këtu më shumë se unë, duhet ta kuptoni se kjo botë është e ndërtuar nga 1 mijë intriga, njerëz që i dinë rezultatet pas ndeshjeve”.

Nëse mendon të kthehet në Shqipëri pasi të jetë larguar nga posti i trajnerit

“Pse nuk u dashka të vij për pushime këtu? Nëse me fton, vij. Shpresoj që po, mund të ishte e bukur, duke shpresuar që nuk jam i impenjuar në Kinë. Por janë gjëra që nuk i kam folur asnjëherë, i lexoj nga mediat. Kapelo më ka zënë vendin? 10 milionë euro! Mua më japin vetëm një!”.

/Blitz.al/

Shperndaje