Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

E kërcënojnë me kryqe “gjaku”, gazetarja Xharra: “Akt qyqar nga ushtria e injorancës”

E kërcënojnë me kryqe “gjaku”, gazetarja Xharra: “Akt qyqar nga ushtria e injorancës”
April 10
15:02 2017

Gazetarja e Kosovës, Arbana Xharra, e cila është kryeredaktore e gazetës “Zëri”, është kërcënuar nga disa persona të paidentifikuar që i kanë vizatuar kryqe “gjaku” në hyrje të banesës së saj.

Kërcënohet gazetarja e njohur, vizatohen “kryqe gjaku” në muret e banesës së saj

Ky akt duket se e ka trembur gazetaren e njohur për qëndrimet e saj të guximshme në rrjete sociale dhe jo vetëm.

Në një reagim të saj, gazetarja Xharra ka shkruar se në Kosovë sot është bërë gjithnjë e më e vështirë për të menduar dhe folur lirshëm.

Më tej ajo shton se ky akt i ushtrisë së injorancës e tremb sepse ka fëmijë të mitur, por nuk e ndal, përkundrazi i jep forcë për të ecur para.

STATUSI I PLOTË

“Kosova që ne deshëm nuk është kjo e sotshmja, në të cilën gjithnjë e më e vështirë po bëhet që të mendosh lirshëm e aq më pak të flasësh lirë, të shfaqësh mendim ndryshe.
Kosova jonë sot në mënyrë alarmante dhe gjithnjë e më të dukshme po vërshohet nga aradhet e ushtrisë së injorancës.
Asnjëherë nuk e kisha besuar që ju, kushdo që e keni bërë këtë akt qyqar, vini deri te dera e shtëpisë së familjes sime – shtëpinë e dy fëmijëve të mi të mitur.

Tashmë e sa kohë po përpiqeni të më frikësoni, të ma mbyllni gojën. Edhe unë njeri jam, kam familje, e njoh edhe drojën. Por, çuditërisht, droja më jep kurajë dhe më nxit, më jep fuqi për të vijuar, për të mos u ndalur.

Këto kryqe, me këtë ngjyrë që i ngjan gjakut, vetëm ju e dini për çka i keni bërë. Po shpresoj që organet e drejtësisë do t’ju gjejnë, kapin dhe dënojnë. Linçimet publike politiko-shoqërore, që shumë njerëz m’i kanë bërë kohëve të fundit, u kanë dhënë zemër qyqarëve të më vijnë te dera e shtëpisë dhe ju jeni bashkëpërgjegjës.

Fotot nuk i kam publikuar deri më tash me kërkesë të policisë që t’i përfundojnë hetimet, me shpresë se do t’i kapin këta matrapazë dhe unë i vë institucionet e shtetit në sprovë, pres vepra nga ju.

Dua të shpreh mirënjohje të thellë për miqtë ndërkombëtarë, për kolegët dhe dashamirët, të cilët u solidarizuan me mua dhe me familjen time e që njëkohësisht duan Kosovën e lirë, e jo Kosovën e ekstremeve dhe satanizimeve”.  /Blitz.al/

Shperndaje