Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Durrës, Dako “shkel” gjykatën, shkatërron trashëgiminë arkeologjike

Durrës, Dako “shkel” gjykatën, shkatërron trashëgiminë arkeologjike
February 21
09:28 2017

Zbatimi i projektit “Veliera” në qytetin e Durrësit, përveç kritikave se po ndërtohet një shesh luksoz, me vlerë 6 milionë dollarë, vuri përsëri në provë Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Durrës, mbi aftësinë për të ruajtur gjetjet arkeologjike.

Themelet e një godine të periudhës osmane, dy topa lufte dhe disa dhjetëra predha sferike guri për hedhje me katapultë, ishin gjetjet arkeologjike që rrezikonin të zhdukeshin, pasi mbi to ishin ngulur pilota për ngritjen e themeleve të “Velierës”.

Pas ankimit për pezullimin e punimeve për këtë shesh, që u bë nga shoqëria civile, e cila iu bashkua një javë më parë marshimit-protestë të qytetarëve të Durrësit, kundër punimeve për ndërtimin e sheshit “Veliera” pranë gjetjeve arkeologjike, Gjykata Administrative Durrës, më datë 16 shkurt 2017, vendosi pezullimin e punimeve në pjesën e sipërme të projektit.

Pikërisht në pjesën ku u zbuluan gjetjet arkeologjike dhe që përcaktohet si zonë arkeologjike e kategorisë A, që nuk lejon asnjë ndërtim në këtë zonë.

Por ditën e sotme, 20 shkurt 2017, firma që po kryen zbatimin e projektit ka vijuar punimet dhe ka mbushur me beton pilotat që do të shërbejnë për ngritjen e themeleve të “Velierës”.

Betoni ka shkuar deri pranë gjetjeve arkeologjike dhe shumë pranë murit rrethues të qytetit, mbuluar përgjatë kryerjes së punimeve, shkruan Amfora.al. Ky fragment i murit është mbuluar disa ditë përpara se të lidhej kontrata midis Bashkisë Durrës dhe institucioneve të kulturës për monitorimin arkeologjik të zonës.

 

Komento
Shperndaje