Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dule: Qeveria drejtohet nga një aventurier. Rama: Do të na bësh me zor armik me Greqinë

Dule: Qeveria drejtohet nga një aventurier. Rama: Do të na bësh me zor armik me Greqinë
November 03
15:16 2016

Pas debateve të disa ditëve më parë për postimin e kryeministrit Rama në Facebook për Akropolin në Athinë, sot në parlament ka pasur diskutime të forta mes kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe kreut të qeverisë Rama.

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e ka cilësuar kryeministrin Rama aventurier dhe e ka sulmuar atë se ka ndërmarrë një akt grabitqari në zonën e Himarës. “Fabrika e propagandës në rrjetet sociale e ka përgatitur terrenin. Nga Gjergj Elez Alia trim mbi trimat kemi kaluar te trim mbi trimat Edi Rama. Populli shqiptar e ka jetuar miqësinë me lidhje familjare e shoqërore në të gjitha zonat, jo vetëm ato kufitare. Mbro vendin, njerëzit e dijes dhe të letrave të këtij vendi. Mos na diskredito! Bota perëndimore ka zgjedhur Akropolin si simbol të civilizimit të vjetër helen. Ai vend ka pasur edhe një minaret, por civilizimi nuk ka dashur ta shohë si të tillë”,- tha Dule.

Mentaliteti yt është shumë larg civilizimit. Ti je luftëtar i eshkinjxhinjve e jeniçerëve. E njohin të gjithë patriotizmit tënd nga veprat e përditshme. Kjo nuk të shpëton as nga partia e Blushit, as nga kanabizimi i vendit. Është momenti të pranosh dështimin tënd në çdo fushë të aktivitetit qeveritar. Ke humbur kontaktin me realitetin”, – përfundoi Dule.

Më pas, në replikën e tij, kryeministri Rama e ka akuzuar Dulen se po nxit armiqësinë mes Greqisë dhe Shqipërisë për një çështje të pabazë pronash. Gjithashtu ai ka shtuar se Dule e bën këtë për të shpëtuar partinë e tij që, siç e cilësoi ai, “po tretet si kripa në ujë”.

“Është hapur një debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës që janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë për hapësirën publike. Ai qytet sot ka hyrë në rrugën e transformimit cilësor. Himara është ndër qytetet më të dërrmuara në 20 e kusur vitet e barbarisë së ndërtimeve. Ngrehina shëmtie që rrokullisën Himarën në tatëpjetë. Do të prishen vetëm 18 objekte, nga të cilat shumica janë kioska e magazina. Një shifër mikroskopike në krahasim me lumin e shkatërrimeve të tjera të ndërtimeve pa leje në vend. Nuk duhet ta them unë se pse duhet të mërziten fqinjët kur në Athinë dikur është folur edhe shqip, apo nuk duhet të mërzitem unë kur më thonë se sot në Himarë flitet greqisht? E folura shqip dje në Athinë nuk e bën atë qytet shqiptar apo e folura greqisht në Himarë nuk e bën atë greke”,- tha Rama.

“I dashur Vangjel, shoh që ti po i sajon minoritetit grek dhe Greqisë armikun e ri, Edi Ramën, për llogari të partisë tënde që po tretet si kripa në ujë. Dëshiron të na bësh armik me vendin mik Greqinë për interesa të partisë tënde”, – e akuzoi Rama kreun e PBDNJ-së. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje