Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Duka sulmon Braçen: Je mushkonjë, gore, rrugaç dhe i sëmurë mendor! Thumbon edhe Berishën

Duka sulmon Braçen: Je mushkonjë, gore, rrugaç dhe i sëmurë mendor! Thumbon edhe Berishën
November 01
13:12 2016

DY FJALË PËR “MUSHKONJËN” QË SHPËRNDAN DHUNË

Jashtë natyrës time, madje edhe jashtë dëshirës personale, por i detyruar nga karrigia që kam dhe në emër të progresit të futbollit shqiptar, dua t’i them dy fjalë deputetit të Partisë Socialiste, të ashtuquajturit tifoz VIP të Partizanit, Erjon Braçe, por që në fakt po vërteton përditë se është një tifoz i degraduar i një ekipi dinjitoz si Partizani. Po e bëj këtë jo se jam i shqetësuar për fyerjet, shantazhet, të pavërtetat që thotë në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit (federata, në rrugën e saj për ta sjellë futbollin këtu ku është, ka pasur shumë mushkonja vërdallë), por për të vetmin fakt, e theksoj të vetmin fakt, se statuset e tij publike, të thëna jo thjesht nga bluza e një tifozi, por nga kostumi i një politikani e parlamentari, janë nxitje e pastër dhune në futbollin shqiptar. Ka shumë politikanë tifozë fanatikë kudo në botë, por të gjithë janë të kujdesshëm, edhe për shkak të pozicionit që kanë dhe impaktit që kanë në opinionin publik, që të mos përdorin një gjuhë të tillë si ajo prej rrugaçi e Braçes. Ju kujtoj këtu edhe ish-liderin e Partisë Demokratike dhe ish- kryeministrin Sali Berisha, i cili kur e pyesnin gazetarët se me kë ishte tifoz, përgjigjej jo pa qëllim: “Me atë që fiton”. Erjon, futbolli është një sport që luhet në fushë dhe jo në kokën tonë. Futbolli është një sport i burrave me karakter të fortë, që flasin pak dhe luajnë fort, jo i atyre si disa nga ju në parlament, që flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi mund t’i kapërdijmë shpifjet e tua për federatën, por që të nxisësh dhunë dhe të “erionizosh” futbollin shqiptar, siç bën me parlamentin dhe zonën që të zgjodhi deputet, këtë jo, këtë nuk e bën dot as me futbollin shqiptar dhe as me federatën. Dhe a e di pse? Jo se nuk të lejojmë unë dhe bashkëpunëtorët e mi, por për një fakt të thjeshtë: standardet dhe niveli i futbollit shqiptar dhe i organizmave të tij janë shumë e shumë më lart se niveli i politikës shqiptare. Federata dhe futbolli shqiptar nuk janë Laguna e Karavastasë ku ti fut duart si të duash. Fatkeqësisht, kemi ëndrra të ndryshme: unë ëndërroj që politika shqiptare të arrijë nivelin e futbollit shqiptar, ndërsa ti ëndërron që futbolli shqiptar të arrijë nivelin e politikës. Duke pasur në subkoshiencë këtë ëndërr regresive, unë mendoj se ti nuk i duhesh as Partizanit si tifoz, gjithashtu mendoj se nuk i duhesh as parlamentit si deputet. Meqë ra fjala, kam dëgjuar se si në Divjakë, pikërisht prej sjelljeve të tua dhe gjuhës tënde, për herë të parë pas 100 vjetësh ka tifozë të Tiranës. Nuk e di sa kanë ndërruar mendje dhe përkatësinë partiake prej gjuhës tënde, të them të drejtën. Gjithsesi kjo punë nuk më takon ta gjykoj unë, u takon shefave të tu. Unë nuk të ndaloj dot të vazhdosh të bësh goren, sepse edhe ti vetë, fundja, ia ke parë hairin rolit të gores në politikë, nuk të ndaloj dot as të jesh “mushkonjë”, por të jesh një “mushkonjë” që nxit dhe shpërndan dhunë e urrejtje në futbollin shqiptar këtë do të ta ndaloj gjithmonë, sa të kem frymë, verbalisht dhe legalisht. Si përfundim, jam i sigurt që nuk ke ndërmend asnjëherë të vizitohesh te psikiatri, sepse përveç të tjerave, siç thashë edhe më parë, deri tani të ka dalë për mirë ky rol. Por gjithsesi, kur të kalojnë helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë për dezinfektimin e mushkonjave në Divjakë, rri edhe ti aty: unë e di shumë mirë, ti nuk do pushosh kurrë së qeni gore apo “mushkonjë”, por të paktën të jesh një “mushkonjë” që nuk shpërndan dhunë se këtë nuk ta ka për borxh futbolli shqiptar. /Blitz.al/

P.S. Marrë nga faqja zyrtare e Armand Dukës në Facebook.

duka-fb

Komento
Shperndaje