Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Droga në Itali, 5 shqiptarët e arrestuar – “kokat” e trafikimit të marijuanës dhe biznesmenë ndërtimesh

August 15
09:42 2016

Nga Anduena Llabani

Droga në qytetet italiane tregtohet dhe kontrollohet nga shqiptarë. Pas dy vjet hetimesh dhe survejimi, policia italiane ka zbuluar se shtetas shqiptarë rezidentë në këtë vend drejtojnë trafikun e marijuanës. Trafikantët shqiptarë të kapur një ditë më parë nga policia italiane janë pjesë e një rrjeti të mirorganizuar që kishte kohë që operonte në Itali.

Autoritetet italiane kanë mundur të sekuestrojnë edhe pajisje të sofistikuara për t’i shpëtuar përgjimit. Gjatë një konference për mediat nga Prokuroria e Peskarës, prokurorët thanë se gjatë operacionit sekuestruan instrumente laser e zhurmues frekuence. Pesë shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë këtij operacioni janë rezidentë të rregullt prej vitesh në territorin italian, madje edhe sipërmarrës të shoqërive të vogla ndërtimi.

Sipas tyre, droga e sekuestruar në brigjet e komunës së Fanos nga një gomone që vinte nga Shqipëria është ngarkesa më e madhe me lëndë narkotike e kapur deri tani në këtë territor. Sasia prej 1820 kg marijuane do të vlente në treg nga 6 deri në 18 milionë euro.

Grupi ishte nën hetim që prej dy vitesh. Policia italiane ka mbajtur nën kontroll territorin deri në finalizimin e operacionit të së premtes.

Autoritetet italiane theksuan se ngarkesa e marijuanës ishte e konfeksionuar në pako të mbyllura hermetikisht me celofan e mbi çdo pako është shënuar një shenjë që korrespondon me emrin e qytetit italian ku do të transportohej më pas. Shenja të tilla të orientojnë drejt qyteteve si Bolonja, Verona, por hetimet vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e grupit kriminal që vepron në territorin italian dhe në atë shqiptar. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje